Historia e Petritit: Dy fëmijë i humbën, e shoqja ra në koma… pasi u zgjua, u prek nga kanceri gjirit

Një histori me të vërtetë e jashtëzakonshme, mes sprovave të njëpasnjëshme. Në studion e “Për Shqiptarët” tregoi historinë e tij Petriti, një burrë i cili provoi dhimbje tepër të mëdha.

Ai erdhi në ‘shtëpinë’ e shqiptarëve për të rrëfyer historinë e tij që e ka pikënisjen dy vite pasi u martua me dashurinë e jetës, bashkëshorten e tij Hurmën. Petriti tregoi se burrë e grua u lumturuan me lajmin se Hurma ishte shtatzënë me një vajzë… dy muaj zgjati kjo lumturi, pasi vajza e tyre u shua.

Petriti: Hurma është gjithçka, jeta ime. Pse? Që në ’94 jemi martuar së bashku. Që në vitin 1996 kanë nisur problemet. Fëmija i parë, goca jonë… 50 ditë jetoi dhe na la. Ishte një diagnozë që në Shqipëri atë kohë nuk njihej (fibroza cistike).

Por historia e Petritit dhe sprovat e jashtëzakonshme nuk përfundojnë me kaq. Pak vite më vonë, çifti bëhet sërish me fëmijë, një djalë. Vogëlushi diagnostikohet me të njëjtën sëmundje (fibrozë cistike) dhe largohet nga kjo botë pas 1 jave.

Mes vështirësive të jashtëzakonshme dhe goditjeve të forta, çifti qëndroi i bashkuar. Lumturia erdhi më në fund. Çifti bëhet me fëmijë. Në jetë vjen Kevin. I shëndetshëm dhe më e bukura ditë për burrë e grua. Pas Kevinit, familja shtohet me një vajzë. Ajo rezultoi të jetë e prekur me të njëjtën sëmundje që ia mori dy foshnjet nënës e babait, por fatmirësisht tanimë kishte ilaçe.

Sot, motër e vëlla janë prezentë, përballë nënës e babait.

Por sprovat nuk përfunduan për Petritin e Hurmën. Hurma sëmuret në mëlçi dhe bie në gjendje kome. Për dy muaj, Petriti e fëmijët luten për një mrekulli dhe ajo vjen. Hurma zgjohet dhe arrin të rehabilitohet. Vitet kalojnë. Fëmijët rriten dhe harmonia në familje shtohet.

Por sërish, një sprovë, kësaj here një sprovë e fortë. Hurma zbulon se është e prekur nga kanceri i gjirit. Ajo refuzon fillimisht të bëjë kurimet, por Petriti është ai që i mbush mendjen për të nisur kurimet. Petriti merr para borxh dhe ia arrin të dërgojë të shoqen në Turqi, atje ku ajo bën një ndërhyrje kirurgjikale.

Petriti: Gjendja në shtëpinë tonë, ka patur përherë harmoni. Ekonomia shkon e vjen siç thotë populli, por harmonia jonë ka qenë gjithmonë. Ne kemi patur me njëri- tjetrin, vetëm dashuri.

Elvisi: Unë të them të drejtën, jam pa fjalë. Kam mbetur pa fjalë nga historia e Petritit. Pak burrë kam frikë, se nëse do të përballeshin me këtë, do të mbeteshin pa u rrëzuar. Unë sot të kam përballë dhe më dukesh fisnik.

Petriti: Unë nuk e kuptoj, të them të vërtetën, sesi e kam përballuar nga ana shpirtërore. Lodhur jam, por dorëzuar kurrë, nuk dorëzohem.