Gruaja në foton e mëposhtme quhet Qamile Marra. Qamilja është plot 114 vjeçe dhe jeton në fshatin Ferras të Kuçovës.
Familjarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e pensionit të të moshuarës. Hysen Marra tha për mediat se nëna e tij nuk e ka marrë pensionin mujor këtë vit. Sipas familjarëve, ata nuk e kanë ditur se duhet të deklarojnë në zyrat e gjendjes civile (Kuçovë) që nëna e tyre është gjallë çdo vit. Rastin e shpjegoi për mediat njëra prej nuseve të të moshuarës.
“Vajtëm për të marrë pensionin këtë muaj, në Janar. Shpërblimin e morëm, pensionin nuk e morëm. Vajti burri për t’u ankuar atje e duhet një certifikatë. I gjetëm dhe i çuam. Vajtëm pastaj dhe na thanë ka mbushur moshën. Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën dhe mos të rronka më. I ka ditët e perëndisë. Ia ka dhuruar Zoti. Aq sa merr, 70 mijë, ne nuk i kërkojmë lekë shtetit.”-tha nusja e të moshuarës.
Vetë Qamilja shprehet se është mirë me shëndet. Gruaja ka 6 fëmijë, ku vajza më e madhe është 85 vjeçe. Qamilja tregoi për median se ka punuar për 35 vjet në kooperativë bujqësorë e se madje bën ende punët e shtëpisë.
“Çfarë punonin burrat punonim ne Mirë kemi qenë, por edhe për të vuajtur shumë kemi vuajtur. Nuk kishe njeri në shtëpi. Për të ngrënë ishe 7-8. Kemi vuajtur. Kur ngrihen të gjithë ngrihem dhe unë, por në vapë nuk fle. Në mëngjes ngrihem, bëj ato punë që më takojnë. Shikoj ato pula, ata zogj. Por kështu bukë e gjellë i kam lënë, bëj dy vjet. Dua por nuk kam fuqi. Edhe është nusja vetë në shtëpi”, tregoi e moshuara.
Kur e pyesin për moshën e saj, Qamilja tregon:
“Ngopet lumi me ujë që të ngopet robi me jetë? Ai thotë të shoh dhe një çikë, të shoh dhe një çikë. Nuk ngopet me jetë”