Historia e veçantë e Eloenit, mekanikut 8 vjeçar nga Berati

Pasion ka automjetet dhe matematikën. Rëndom pas shkollës, këtë 8 vjeçar e gjen tek ofiçina e babait dhe xhaxhait, jo si spektator, por si një prej mekanikëve.

Ky është Eloeni, një djalë nga Berati i cili punon si mekanik pas shkollës. Qëkur ishte 2 vjeç, ai ka qëndruar në ofiçinën e babait e xhaxhait dhe përgjatë viteve ka shprehur dëshirën për të mësuar zanatin. Në vitet e fundit vogëlushi ka nisur të punojë në ofiçinë, i shtyrë nga familjarët dhe pasioni i tij i madh për të gjitha detajet e automjeteve… e madje shumë aspekte teknike të makinave, me siguri ky vogëlush i di më mirë se shumë të rritur.

Disa kohë më parë, Euronews Albania i kushtoi një kronikë të zgjeruar vogëlushit, i cili deklaronte:

 “Deri në orën 7 ose 8 të darkës qëndroj këtu në ofiçinë. Mësimet i bëj më pas. Në shkollë, në mësime jam shumë i mirë. Më pëlqen lënda e matematikës. Duke ardhur që 2 vjeç e gjysmë këtu te servisi, shikoja xhaxhanë edhe babin, mësoja edhe unë. Duke u rritur, mësoja pak nga pak dhe tani e kam marrë zanatin.

Eljoeni tashmë punon mirfilli si mekanik, madje edhe paguhet.

“Pagesa varet, të shtunën marr 20 mijë lekë. Më përpara fitoja 5, pastaj më jepnin 10, ndërsa tani 20”, tha ai gjatë një interviste në Euronews Albania.