Hodhi foshnjen e saj në lumë, gjykata dënon me 22 vite burg Orjana Gremin

Një vit pas krimit të rëndë, gjykata e Shkodrës ka vendosur të dënoje më 22 vite burgim Orjana Gremin, gruan e cila në muajin janar të vitit të kaluar hodhi foshnjen e saj në lumin Kir.

Në sallën e gjyqit 32 vjeçarja shprehu pendesë të thellë për krimin e kryer dhe kërkoi mëshirë nga trupa gjykuese. Këta të fundit e shpallën të fajshme për akuzën e ‘vrasjes së të miturit’.

Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik, u zbulua 5 ditë pasi nëna e re kishte sjellë në jetë foshnjen.

Gremi ka shkuar në spitalin e Shkodrës ku dhe ka sjellë në jetë foshnjen mashkull. Nëna e ka regjistruar pa atësi djalin si dhe më tutje ka kryer procedurat për përfitimin e bonusit të lindjes.

Në spital ajo fillimisht ka kërkuar të kryejë procedurat për birësimin e foshnjes, por më pas ka ndërruar mendje dhe ka dalë prej spitalit së bashku me djalin.

Pak para se të kryejë aktin e rëndë, gruaja ka folur me dy misionare të kishës katolike, të cilat e kanë takuar 32 vjeçaren dhe janë përballur me faktin se ajo nuk kishte foshnjen. Kanë qenë këto të fundit që kanë telefonuar policinë, e cila më tutje ka zbardhur krimin.

Kur Gremi ka dalë nga spitali, ajo i është drejtuar shtëpisë në fshatin Golem… rrugës për në shtëpi, 32 vjeçarja ka hedhur foshnjen në lumë. Djali veçse 5 ditësh, u gjet i pajetë brenda një qeseje të mbyllur me tel.