Humbi djalin në tragjedi, rrëfimi i babait të paralizuar: Ime shoqe shikon nga dera, pret a po i vjen çuni

Ishte 14 korriku i këtij viti, momenti kur në pallatin ku banonte familje Thomaraj, dëgjohet një shpërthim i fuqishëm. Ne derën ngjitur derës së familjes, ishte vendosur një eksploziv. I vetmi që mbeti i lënduar, ishte 29 vjeçari Enea Thomaraj. I riu ishte në shtëpinë e tij në momentin kur prej shpërthimit, dera i ra përsipër.

Enea ndërroi jetë 3 javë më parë, pasi qëndroi në spital për tre muaj. Këtë të premte në studion e “Për Shqiptarët”, ka ardhur babai i Eneas, Arturi. Ai ka rrëfyer mes lotëve se humbi dritën e syve, njeriun më të dashur e më të mirë që ka njohur, djalin që mbante në këmbë të gjithë familjen.

Arturi: Enean e kam patur dritë të syve, i donte të gjithë njerëzit… ai ishte shtylla e familjes, sepse pensioni neve nuk na mban. Ishte i vetmi që punonte, sepse djalin e vogël e kam ende nxënës.

E kisha shok, bashkëluftëtar, gjithçka. Në çdo vend që shkoja, shkoja së bashku me Enean. Ai qëndroi për tre muaj në spital dhe nuk e dinte ku ishte. Më tregonte nusja, sepse unë nuk kam shkuar, më dhimbsej, nuk mundja dot ta shikoja. Ime shoqe ka qëndruar në spital, së bashku me familjarë të mi. Shumë njerëz po ashtu nga shoqëria e Eneas, që nuk iu ndanë deri në fund. Mua më kanë ardhur në shtëpi vetëm falë respektit që kanë patur për të.

Unë kam folur me nusen në orën 10. Njëlloj më tha ime shoqe. Enea kishte afro 1 muaj në gjendje kome, në gjendje të keqe. Nuses i kishin thënë doktorët hajde shikoje për herë të fundit. Po nusja nuk më thoshte, sepse unë prekem shumë, jam dhe i paralizuar. Në 11 e gjysëm të natës më del gjumi. Mbuloj djalin e vogël. Sa shtrihem, më bie telefoni. Më thotë motra, hape derën. Aty e kuptova. Hapa derën dhe shikoj 5 njerëz. Më vunë shami tek hunda të mos më binin të fikët.

Kur e mori vesh i vogli, nuk e imagjinon dot… Arlueli (qan)…Ai e ka ngjarjen në fillim. Ai e ngriti derën, 50 kile e rëndë, e ngriti në këmbë teksa bërtiste ‘lali, lali’. Djali u ngrit vetë në atë moment dhe shkoi u shtri në divan. Gjak kishte kudo, nga veshët, nga goja, nga hundët…

Tanimë situata në familje… është shumë shumë e vështirë. Ne kemi hapur derën sipas zakoneve… (qan) nusja shikon derën, pret a po i vjen çuni. Tani rrojmë vetëm për djalin e vogël, të shikojmë atë.