Në këtë botë vijmë për një jetë të përkohshme, për të mirat e të këqijat. Shumë prej nesh sprovohen pak, disa sprovohen më shumë.
Kjo është historia e një çifti shqiptar, që sprovat i ka patur të shumta, të mëdha. Historinë e tregoi në emisionin “Për Shqiptarët” Petriti, kryefamiljari. Përmes rrëfimit të tij, Petriti synontë t’i jepte forcë e kurajo të shoqes, Hurmës, e cila aktualisht përballet me një sprovë të madhe, kancerin e gjirit.
Historia e këtij çifti nis në vitet ’90, kohë kur burrë e grua humbin dy fëmijë.
Petriti: Hurma është gjithçka, jeta ime. Pse? Që në ’94 jemi martuar së bashku. Që në vitin 1996 kanë nisur problemet. Fëmija i parë, goca jonë… 50 ditë jetoi dhe na la. Ishte një diagnozë që në Shqipëri atë kohë nuk njihej (fibroza cistike).
Por historia e Petritit dhe sprovat e jashtëzakonshme nuk përfundojnë me kaq. Pak vite më vonë, çifti bëhet sërish me fëmijë, një djalë. Vogëlushi diagnostikohet me të njëjtën sëmundje (fibrozë cistike) dhe largohet nga kjo botë pas 1 jave.
Pavarësisht vuajtjeve, Petriti e Hurma qëndrojnë të bashkuar. Dashuria e tyre bekohet më tutje me një djalë, i cili lind i shëndetshëm në vitin 2000. Pas djalit, dukej sikur burrë e grua hodhën pas vuajtjet. Katër vite më vonë ata presin sërish një fëmijë, një vajzë. Në kohën që lind vajza, Hurma sëmuret rëndë dhe përfundon në gjendje kome për disa javë.
“Motër më shtrydh gjirin dhe jepja vajzës qumështin”
Hurma tregoi në “Për Shqiptarët” se në kohën që ishte sëmurë, iu lut motrës së saj që t’i shtrydhte gjirin e qumështin t’ja jepte vajzës së vogël, Lejlës.
Hurma: Kur linda vajzën, unë kalova hepatit toksit. Dy javë qëndrova në gjendje kome, dy muaj në spital. E dëgjova doktorin që i tha bashkëshortit, kjo nuk bëhet më. Motrës i thashë, unë do të bëhem. Ti, edhe sikur unë të vdes, derisa të jem gjallë, do më shtrydhësh gjirin e t’ja japësh vajzës.
Një sërë grash i erdhën në ndihmë motrës së Hurmës, duke i dhënë gjirin e tyre Lejlës së vogël, një akt njerëzor që Hurma nuk e harron kurrë.
Hurma: Unë i falenderoj të gjitha ato nëna që ishin në fshat, që i dhanë vajzës sime qumësht. Vajza nuk e preku biberonin, qumështin e farmacisë, piu të gjitha nënat, 6 a 7 nëna dhe kurrë nuk e preku qumështin e farmacisë. Shyqyr Zotit, unë e kisha ruajtur gjirin.
Me kalimin e muajve dhe sprovës së sëmundjes së Hurmës, çifti mëson lajmin e hidhur. Vajza e tyre, Lejla vogël, diagnostikohet me të njëjtën sëmundje që familjes ia mori dy fëmijë vite më parë. Fatmirësisht, tanimë kishte barna dhe kura dhe Lejla ia doli të jetojë edhe pse me ilaçe për të gjithë jetën e saj.
Sërish dukej sikur gjithçka tanimë ishte hedhur pas krahëve, sprovat e kësaj jete të përkohshme kishin përfunduar.
Hurma mëson se është prekur nga kanceri i gjirit
Një vit më parë gjatë një kontrolli rutinë, Hurma mëson se është e prekur nga kanceri i gjirit. Kjo sëmundje duket se e shkatërroi përfundimisht forcën dhe vullnetin e Hurmës. Por ishte Petriti, e tanimë fëmijët, ata të cilët e ringritën në këmbë Hurmën, i dhanë dashurinë dhe forcën e nevojshme për të luftuar.
Hurma: Në momentin që do të hyja të bëja seancën e kimioterapisë, im shoq më tha të pimë një kafe. Më shumë të lodhur. Im shoq përmes lotëve…. ai ka qenë një moment i vështirë shumë. Aty i dhashë forca vetes dhe thashë, do t’ja dal.
Petriti mori borxhe ku mundej dhe e nisi Hurmën drejt Turqisë, atje ku ajo iu nënshtrua një ndërhyrje. Tanimë beteja vijon me kimioterapitë për të fituar luftën ndaj sëmundjes së rëndë.
E pikërisht këtu, “Për Shqiptarët” dhe qindra mijëra bamirësit shqiptarë i vijnë në ndihmë kësaj nëne të vuajtur. Hurma përballet me 13 seanca kimioterapie, kosto e të cilave shkon në afro 40 mijë euro.
Në emisionin “Për Shqiptarët”, Elvis Naçi i jep lajmin e madh Hurmës, se paratë për betejën e saj me kancerin e gjirit, janë mbledhur falë dhurimeve të mijëra e mijëra shqiptarëve zemërmirë.