Humbi të shoqin e babain, vetë i shpëtoi vdekjes… historia e dhimbshme e Donikës: U riktheva për fëmijët e mi

Historia e Donikës është një nga ato histori që të mbush sytë me lot. Nënë e tre fëmijëve, kjo grua përjetoi tragjedi pas tragjedie, ndërsa pak kohë më parë, për pak sa nuk humbi jetën.

4 vite më parë, bashkëshorti i Donikës u diagnostikua me kancer në kokë. Pavarësisht të gjitha orvatjeve, operacioneve, e kimioterapisë, fati i Blearit ishte vulosur. Kryefamiljari ishte veçse 36 vjeç kur ndërroi jetë, duke lënë pas 2 djemtë, vajzën e vogël dhe të shoqen.

Pas vdekjes së të shoqit, Donika largohet nga shtëpia e familjarëve të Blearit, pasi kishte dëshirë që t’i shkollonte fëmijët. Ajo shkon të jetojë me babain e nënën e saj, pa e ditur se sërish një tragjedi do t’i thyente zemrën. Babai i saj u sëmur dhe humbi jetën. Donika tanimë me tre jetimë, nisi të kujdeset për nënën e sëmurë… derisa një ditë, një tjetër tragjedi për pak sa nuk e mbylli siparin.

Donika kishte dalë pak metra larg shtëpisë, bisedonte me disa shoqe. E bija ishte zgjuar nga gjumi dhe kërkon mamin. Donika dëgjon vajzën dhe futet në banesë. Papritur, ajo nuk ndihet mirë. Donika rrëzohet në tokë, humb ndjenjat. Ajo niset me urgjencë drejt spitalit, ku qëndron për disa kohë. Kur është zgjuar, në mendjen e saj ka mbetur një ëndërr… ajo pa të shoqin dhe babain e ndjerë që i afrohen, i buzëqeshin. Donika kap dorën e të shoqit dhe nis të ecë, por në atë moment babai e ka thërritur dhe i ka thënë “po fëmijët…?”

Nëna e tre fëmijëve falë Zotit i shpëtoi vdekjes, por me rikthimin e saj në banesë jetesa ka qenë e vështirë pasi Donika aktualisht nuk mundet të punojë. Djali 15 vjec nisi të punojë si kamarier për të ndihmuar. Fëmijët shqetësohen se mos një ditë mbeten pa banesë, pasi ata jetojnë me qera, në vështirësi të mëdha.