Humbi vajzën, pak muaj më pas të shoqen… rrëfimi i një babai dhe beteja e tij për të gjetur të vërtetën

Kjo është historia përlotëse e një babai, që provoi dhimbjen më të madhe me të cilën mund të përballet një prind… humbjen e fëmijës.

Në vitin 2021, vajza e Marianos, Mia, i dha fund jetës së saj. Ishte veçse 14 vjeçe…BBC i ka kushtuar një kronikë rrëfimit të babait, i cili nis nga dhoma e të bijës së ndjerë.

Gazetari: Si është të vish në këtë dhomë?

Mariano: Shumë e vështirë…

Gazetari: A vini shpesh këtu?

Mariano: Jo… është shumë e rëndë për mua

Shkak i vetëvrasjes së 14 vjeçares, besohet të ketë qenë fakti se ajo tallej e bullizohej në shkollë… përfshi këtu edhe në rrjetet sociale. Për këtë arsye, Mariano ka kërkuar tashmë prej mëse një viti që të mund të aksesojë rrjetet sociale, për të mësuar se çfarë ndodhi me të bijën.

“Vajza kishte një sens të mahnitshëm humori. Ishte pozitive, kërkonte dhe gjente përherë gjërat e mira. Ishte e dashur dhe bujare. Celulari dhe rrjetet sociale ishte forma sesi ime bijë komunikonte me miqtë e saj. Ajo si të thuash, ishte lidhja e saj me botën. Por nga ana tjetër, pjesa e keqe e teknologjisë, është se nuk ka asnjë rregullim dhe fëmijët mund ta përdorin në një mënyrë që lëndon fëmijët e tjerë… kjo është e tmerrshme.

Unë mendoj se ka disa pika teknike të internetit, që duhen rregulluar, që teknologjia të mos përdoret si një armë, por si një mjet. Unë dua përgjigje, dua të kuptoj sesi ndodhi diçka e tillë… sepse s’mund të jetoj kështu, pa ditur”-rrëfeu për BBC-në Mariano.

E pak muaj pas humbjes së të bijës, ky baba u përball dhe me një tjetër dhimbje të jashtëzakonshme. Bashkëshortja u sëmur papritur nga një kancer agresiv dhe ndërroi jetë në pak kohë.

“Ajo s’mund të përballej me realitetin, se jeta jonë do të ishte pa vajzën. Papritu, ajo ndërroi jetë…po mbaja zi për time bijë dhe papritur, mbajta zi dhe për dashurinë e jetës sime.”-rrëfeu Mariano.

Siç shkruan BBC-ja, aktualisht nuk ka asnjë detyrim për firmat e rrjeteve sociale për të dhënë informatat apo të dhënat në adresë të policisë apo të familjarëve, pa një urdhër gjykate.

“Është… është e papërballueshme. Nuk e di sesi ia dal… e menaxhoj dita- ditës, mundohem të gjej një qëllim, por kjo do të jetë përherë me mua, deri në fund të jetës sime”-thotë babai.