Hungari, i amputohet gjymtyri njërit prej ushtarëve të KFOR-it të plagosur në përleshjet në Zveçan

Një prej ushtarëve të forcës së KFOR-it i është dashur t’i amputohet njëri gjymtyr, si rezultat i lëndimeve serioze që mori gjatë përleshjeve të ashpra në Zveçan të Kosovës.

Lajmin e përcjell media hungareze “Telex”, e cila i referohet të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes së Hungarisë.

“Forcat hungareze të mbrojtjes dhe doktorët ushtarakë po bëjnë më të mirën e tyre për të ndihmuar, por dy ushtarakë janë ende në gjendje të rëndë dhe në spital. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, njërit prej tyre i është dashur të kryejë një ndërhyrje për amputimin e këmbës, ndërhyrje e cila u krye të premten. Operimi shkoi mirë dhe gjendja e pacientit është stabile”-njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Më 29 maj në Zveçan, forcat paqeruajtëse të KFOR-it u përballën me dhunë të ashpër nga ana e disa serbëve të maskuar e të armatosur me shkopinj e gjësende të forta. Këta të fundit qëlluan mbi trupat e KFOR-it, e cila në atë rast përbëhej në shumicë nga ushtarakë hungarezë e italianë. Mbi 30 ushtarakë mbetën të lënduar.