Hynë për të grabitur, por i morën jetën pronarit të shtëpisë… burg përjetë për shqiptarin në Italinë fqinje

“Në orën 3:44 të 9 qershorit 2021, një britmë theu qetësinë në fushat e Piosaskos: “Ndihmë, hajdutët”. Roberto Mottura dhe e shoqja Laura ndodheshin në dhomën e gjumit në katin e sipërm të banesës. Djali tyre Tommaso, 13 vjeçar, flinte në dhomën ngjitur. Laura zgjohet dhe zbret në katin e poshtëm: në dhomën e ndenjes sheh dy burra të veshur me të zeza. Ngjitet lart me vrap dhe bërtet: “Kanë hyrë hajdutët”. Burri vrapon në sallon dhe përballet me hajdutët. Gjithçka ndodh brenda pak minutave. Një e shtënë pistolete dëgjohet… Roberto Mottura shuhet në orën 4:22, ndërsa banditët largohen në errësirë”

Kështu raporton “Corriere” mbi një ngjarje e cila për protagonistë, kishte dy shtetas shqiptarë… grabitësit që kishin hyrë në shtëpinë e arkitektit italian. Dy vite më vonë, Gjykata e Torinos ka vendosur të dënojë me burg dy të rinjtë, Emirjon Margjinin si dhe bashkëpunëtorin e tij, Mërgim Lazri.

Emirjon Margjini, shqiptari i denuar perjete

I dënuar përjetë për Emirjon Margjinin, i cili shkrepi armën në drejtim të Roberto Mottura-s, kësisoj duke lënë jetim një 13 vjeçar. Lazri nga ana tjetër u dënua me 16 vite burg edhe pse organi akuzës kishte kërkuar burgim të përjetshëm dhe për të. Gjithsesi gjykata konkludoi se Lazri nuk kishte qenë brenda banesës në momentin kur bashkëpunëtori e tij e kishte qëlluar për vdekje arkitektin italian.

Gjykata vendosi t’i akordojë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh të shoqes dhe të birit të saj 13 vjeçar. Pas verdiktit e shoqja e të ndjerit u shpreh se “drejtësi nuk do ketë kurrë, im bir mbeti pa të atin

Si u zbuluan grabitësit

Te nesërmen e ‘goditjes’ që përfundoi me vdekjen e një personi, Margjini i kërkon ndihmë një miku të tij të quajtur Bukarosh Snalla. Margjini i çon mesazhe duke i thënë se do të vinte për të qëndruar tek ai sepse “nuk i kishte punët mirë”.

24 orë më vonë, Snalla bie në ‘radarët’ e policisë për një hetim mbi një tjetër çështje. Celulari i sekuestrohet dhe atje hetuesit shohin bisedat me shqiptarin. Nuk vonon shumë dhe policia zbulon lidhjen me ngjarjen ku humbi jetën italiani, një fakt që më vonë e pranon dhe miku i shqiptarit, Bukarosh Snalla.