Hyseni apo Hygerta, prokuoria do kryejë eksperimente hetimore për zbulimin e vrasësit të vërtetë

Prokuroria e Durrësit është gati të kryejë disa eksperimente hetimore për të përcaktuar se cili nga dy prej fëmijëve të Pëllumb Metës, ishte personi i cili shkrepi armën që i mori jetën 50 vjeçarit.

Hygerta e Hysen Meta i kanë ndryshuar dëshmitë e tyre disa herë se cili prej tyre ka qenë autori i vërtetë i vrasjes së babait. Kjo ka shtyrë autoritetet që të kryejnë së pari eksperimentime hetimore në banesën e familjes Meta në Shënavlash të Durrësit, për të përcaktuar së pari këndin e qitjes së armës si dhe mënyrën sesi kanë vepruar fëmijët.

Prokuroria nga ana tjetër do të vendosën 19 vjeçaren Hygerta Meta përballë një pistolete TT në poligon, e njëjta me atë që u përdor për vrasjen e të atit. Në seancën për dhënien e masës së sigurisë, Hygerta iu rikthye edhe njëherë pretendimit se kishte qenë ajo vrasësja e të atit, pa çka se më herët gjatë dëshmive në polici, i vëllai 24 vjeçar kishte pohuar se kishte qenë ai vrasësi dhe jo e motra.

Në eksperimentin hetimor do të shkojë Hygerta e cila do duhet të demostrojë para ekspertëve nëse është e aftë për të përdorur armën.

Një tjetër eksperiment hetimor do të zhvillohet nga organi akuzës dhe ka të bëjë me mënyrën se si u hap gropa ku u gjet i varrosur kryefamiljari. Me rëndësi dhe koha që mund t’i duhet dikujt për të hapur një gropë të atyre përmasave. Të gjitha këto elemente do të vihen përballë dëshmive të fëmijëve, të cilët në jo pak raste kanë qenë kontradiktorë në pretendimet e tyre.

Hetimet mbi rastin që tronditi opinionin publik vijojnë ende edhe në elemente të tjera. Janë mbledhur tanimë fakte e dëshmi që konfirmojnë se kryefamiljari dhe djali i madh Hyseni, kohët e fundit kanë patur debate të vazhdueshme, pasi 24 vjeçari nuk punonte. Një tjetër element që ka dalë në dritë ka qenë dhe një debat mbi një pronë të familjes. Pëllumb Meta iu kishte thënë fëmijëve se do ta shiste tokën dhe atyre nuk do t’u jepte asnjë para.

Kujtojmë se Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e ‘arrestit me burg’ për Hysen, Hygerta e Amarildo Metën.

Hyseni e Hygerta akuzohen për ‘vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare si dhe ‘fshehje të kufomës’, ndërsa Amarildo vetëm për akuzën e ‘fshehjes së kufomës’.