I bindur se ishin pushtuar nga djalli, babai në Itali i merr jetën të shoqes e dy fëmijëve pas 1 muaji tortura

“Në kaq vite karrierë, nuk kam parë kurrë diçka kaq të tmerrshme”

Këto janë fjalët e prokurorit italian Ambrogio Cartosio, në lidhje me një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit në Italinë fqinje.

Krimi që tronditi mbarë vendin u zbulua pak ditë më parë nga policia në Altavilla të Palermos. Atje një kryefamiljar, baba i tre fëmijëve, torturoi dhe më pas i mori jetën të shoqes dhe dy djemve të mitur.

Kryefamiljari Giovanni Barreca

Policia gjeti më 11 shkurt trupin e pajetë dhe të djegur të 41 vjeçares Antonella Salamone,si dhe dy trupat e pajetë të dy djemve të saj, Kevini 16 vjeçar dhe Emanuel, 5 vjeçar. Dy vëllezërit ishin mbytur me zinxhirë.

Autor i këtij krimi makabër rezulton të jetë Giovanni Barreca, kryefamiljari. Ky i fundit dyshohet se i ka torturuar bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të mitur për të paktën disa javë, para se ata të vriteshin apo të humbnin jetën prej plagëve të marra. Kryefamiljari ishte i bindur se e shoqja ishte pushtuar nga djalli, përfshi këtu edhe fëmijët e tij të mitur.

Por detajet e ngjarjes së rëndë nuk përfundojnë me çmendurinë e kryefamiljarit. Siç raporton media vendase, pjesëmarrëse në krim ka qenë dhe vajza e familjes Barreca, një 17 vjeçare, e cila ka qenë pjesë e krimit të trefishtë ndaj të ëmës e dy vëllezërve.

Autoritetet thonë se babë e bijë janë ndihmuar dhe nga një çift tjetër, massimo Carandente e Sabrina Fina. Tanimë të gjithë personat e dyshuar janë prangosur, ndërsa hetimet vijojnë.

Giovanni Barreca me te shoqen Antonella Salamone

Nga ajo që është mësuar deri më tani nga mediat vendase, kryefamiljari besonte se mund të largonte demonët nga trupat e familjarëve të tij përmes ekzorcizmit, akte të cilat ai i ka kryer më së shumti në bashkëpunim me të bijën 17 vjeçare.

Gjatë dëshmisë vajza tregoi dhe momentin kur e ëma i ishte lutur të bijës që të telefononte policinë, lutje e cila ra në vesh të shurdhët.  Gjatë marrjes në pyetje, vajza në gjendje shoku nuk ka treguar shenja të pendimit, duke thënë se ‘duhej t’i nxirrnim demonët’ nga nëna e vëllezërit.

Kevin Barreca, djali 16 vjecar i familjes i mbetur i vrare

E para viktimë ka qenë gruaja 41 vjeçare, e cila u gjet e djegur në oborrin e shtëpisë. Vajza e saj ka treguar para hetuesve se për të nxjerrë djallin nga e ëma, ata kanë përdorur hekur të nxehtë dhe tharëse flokësh për t’i djegur trupin. Po ashtu dhe një tigan me të cilin e godisnin, të bindur se përmes këtyre veprimeve do t’i largonin të keqen nga trupi. Hetuesit ende nuk e dinë mënyrën sesi ka vdekur gruaja, mbetjet e të cilës janë të pakta pasi trupi i saj është djegur plotësisht.

Pas nënës, radhën e ka patur djali 5 vjeçar, i cili po ashtu është torturuar dhe mandej është mbytur me zinxhirë. 17 vjeçarja ka treguar se në torturimin dhe vrasjen e 5 vjeçarit ka marrë pjesë dhe vëllai tjetër, Kevini 16 vjeçar, i cili po ashtu është vrarë sepse edhe ai ‘është pushtuar nga demonët’,

Prokuroria mbajti një konferencë për shtyp mbi rastin, duke sqaruar se ‘riti’ mendohet të ketë zgjatur të paktën një muaj. Sipas prokurorit Cartosio, kryefamiljari “gjithnjë e kishte jetuar besimin me një lloj fanatizmi”, një fanatizëm të cilën ia kishte injektuar dhe familjes së tij. Në muajin janar të këtij viti, duket se diçka kishte ndodhur me psikën e kryefamiljarit, i cili më tutje kishte kontaktuar çiftin nga Palermo (Massimo Carandente e Sabrina Fina) që ta ndihmonin në “ritin e pastrimit” nga demonët. Marrëdhënies mes tyre ishte bërë aq e ngushtë, saqë çifti kishte shkuar të jetonte në shtëpinë e Barreca-ve në Altavilla.