I biri 12 vjeçar humbi jetën prej miokardit akut, nëna në lot: Më thonin ka grip, e morën në qafë mjekët

Në stadiumin e Maliqit u zhvillua një ndeshje në homazh e kujtim të futbollistit të moshave Leo Sadiku, i cili u nda nga jeta pak javë më parë për shkak të miokardit akut. 12 vjeçari ishte lojtar i skudrës së moshave të Maliqit dhe nuk vuante nga asnjë problem shëndetësor të mëparshëm. Të pranishëm në ndeshje ishin nëna e familjarët e vogëlushit të ndjerë.

Nëna e 12 vjeçarit thotë se përgjegjës janë mjekët, të cilët sipas saj duhet të përballet me drejtësinë për neglizhencë në trajtimin e djalit të saj të ndjerë.

 “Neglizhencë totale nga mjekësia, duke filluar nga Korça në Tiranë. Unë për këtë kërkoj drejtësi, vetëm drejtësi për Leon tim. Si Leo im mund të ikin shumë fëmijë të tjerë, se Leon e morën në qafë, nuk e trajtuan si duhet, Leon e neglizhuan, mua më gënjyen, duke më thënë ka virozë. U mjaftuan me dy eko barku dhe me një grafi dhe me 3 analiza kaq i kanë bërë Leos tim asgjë më tepër. Ai fëmijë ka vjellë për 7 orë, le të më dalë përpara ajo doktoreshë në QSUT, që thoshte ka mbetje të mukozës të stomakut. E shtruan në një pavion si burg! Unë nuk do të resht së kërkuari drejtësi derisa të vdes. Unë s’kam pranuar t’i bëjnë autopsi sepse isha e mbytur nga dhimbja, por kjo nuk e pengon prokurorine të hetoje vdekjen e tim biri sepse kam bërë kallëzim penal, sepse djalit nuk i kanë bërë eko apo mjekim për zemrën. E neglizhuan dhe na morën në qafë”. 

“Vëllai im në datën 28 dhjetor ka luajtur për herë të fundit në këtë fushë, unë nuk dua që shteti të luajë me shpirtin e vëllait tim, dua drejtësi dhe të jetë hera e parë të paktën që të ngremë zërin dhe mos heshtim për gjithë fëmijët”, tha motra e Leos.

12 vjeçari u shtrua në spitalin e Korçës me shenja gripi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe u largua prej aty më 31 dhjetor. Gjendja e tij u përkeqësuar në ditët e para të janarit, ndërsa më 7 janar ai u paraqit në spital me tension e glicemi të lartë, të vjella e temperaturë. Mjekët e Korçës e dërguan 12 vjeçarin për mjekim të specializuar në kryeqytet (7janar), por i mituri humbi jetën ditën e nesërme (8janar). QSUT tha se shkak i vdekjes ishte miokarditi akut. Policia e Korçës ka nisur hetimet nëse ka pasur neglizhencë mjekësore gjatë trajtimit, pasi i mituri u paraqit me simptomat e gripit e më pas ndërroi jetë nga zemra.