I biri e kërcënoi me jetë, flet babai i 35 vjeçarit: Nuk është mirë nga mendja, ka nevojë për kurim

Një 35 vjeçar në Maminas u arrestua nga forcat RENEA të cilët ndërhynë për të parandaluar veprimet e pakontrolluara të të riut që kishte kërcënuar me jetë të atin.

Pas arrestimit të Eduart Hoxhës, për mediat ka folur babai i 35 vjeçarit, i cili ka shpjeguar se i biri vuan prej problemeve të shëndetit mendor. Ai deklaroi se për një moment situata ka dalë jashtë kontrollit dhe i biri e ka kërcënuar me thikë e sopatë.

Edhe pse ai vetë njoftoi policinë, babai u shpreh se i biri ka nevojë për psikolog dhe jo për të qëndruar në burg.

-Kishte probleme psikologjike djali?

Babai: Jo aq shumë, sa ka pasur më përpara jo. Ai erdhi për të mbaruar një punë këtu, e mbaruam atë punën para vitit të ri. Nuk kemi ngrënë vit të ri fare, ai në një dhomë unë në tjetër. Aty pastaj thoshte “do iki-do iki”, do ikte në Itali. Në Itali ka që në Qershor 2006.

Dje, pardje, çuni i madh i thotë ta çoj te një hoxhë në Durrës. Jo thotë, s’kam besim te hoxhallarët, më kanë torturuar tha. Ik njëherë i thashë dhe unë, se nuk i dihet të ndihmon. Ikën, kur erdhi me një mendje tjetër. Fliste kot më kot. Çfarë ke i thashë, tha ai hoxha sikur… Filloi duke folur me fjalë të rënda.

Mua më kërcënonte me fjalë, por jo me dhunë. Dje në mëngjes kërcënoi, e dija që s’është mirë nga mendtë. Fillimisht ishte me thikë buke e unë me sëpatë, të cilën e mora për ta nxjerrë përjashta. Por ma mori nga dora sëpatën se është më i fortë.Nuk e di se si erdhi kjo punë. Unë e lajmërova policinë. Kërkoj ta çojnë ta kurojnë, se edhe policët dje i shau. E sheh që ky nuk është mirë psikologjikisht, pse e mban aty kot, të lirohet. Mirëpo shkoi puna larg deri te RENEA.

Kujtojmë se sipas informacionit zyrtar të autoriteteve, 35 vjeçari Eduart Hoxha refuzoi të dorëzohej para policisë edhe pas disa orëve negociata. Më tutje për neutralizimin e të riut të armatosur me thikë e sopatë, ka ndërhyrë RENEA.