I denoncuar nga 27 studente për ngacmime, pezullohet nga detyra profesori

Një pedagog që jepte lëndë të matematikës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, është pezulluar nga puna me vendim të Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës, pas akuzave për ngacmim seksual ndaj studenteve.

Media në Kosovë raporton se 27 studente e kanë denoncuar pedagogun Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual. Një ditë më parë u mbajt një protestë e studentëve përpara Këshillit të Etikës, atje ku një studente tregoi sesi i ishte afruar pedagogu.

“Ti mu më ke thënë kam me të bo masazh. Pikë. Të kam pa me sy dhe të kam ndi me vesh, mos u kap me lojëra fjalësh. Ti na shkaktu trauma. Nuk mjafton falja, edhe prindërve tanë u ke shkaktuar stres”, iu drejtua studentja vetë pedagogut gjatë protestës në fjalë.

@fol_shlire

♬ Very Sad – Enchan

Këtë të martë Këshilli i Etikës i ka rekomanduar Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, që të pezullojë nga detyra profesorin Krasniqi si dhe ta dërgojë çështjen për hetim. Rektorati ka marrë vendim këtë të martë, duke njoftuar se e ka pezulluar nga puna profesorin.

 “Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.”

Këshilli i Etikës, përveç pezullimit, i ka rekomanduar Rektoratit që çështjen e Krasniqit “ta procesojë formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to”