I dërguari i SHBA-ve: Qëndrojmë gjithnjë me popullin e Kosovës, por jo me individë që “s’kanë instinkt bashkëpunimi”

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, deklaroi këtë të martë se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithnjë në krah të popullit të Kosovës, por jo në mbështetje të një individi që, “nuk ka instinktin e bashkëpunimit”.

Fjalët aludohen në adresë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili sipas të dërguarit nga SHBA-të, ka marrë vendime “pavarësisht partneritetit tonë”.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një bisede me gazetarët në ambientet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Vizita e Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së Mirosllav Lajçal, vjen fill pas tensioneve të larta të javës së kaluar në veri të Kosovës.

Escobar e Lajçak takuan po ashtu Kryeministrin Kurti e Presidenten Osmani, ndërsa në ditët në vijim do të vijojnë takimet në Beograd.

Escobar u pyet nëse raportet mes qeverisë së Kosovës e SHBA-ve janë dëmtuar. Në pëgjigje i dërguari i Amerikës u shpreh se “nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në – është i tërë komuniteti transatlantik”.

Escobar vuri theksin se raportet mes dy popujve janë të forta dhe se ato “nuk do të ndryshojnë, por nga ana tjetër Uashingtoni duket se ka “disa sfida” në raportet dypalëshe me drejtuesin e qeverisë së Kosovës.

 “Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat që janë delikate dhe ka pasur këmbëngulje, duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesat [komunale]. Jam në Qeverinë amerikane prej se kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave, dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane…

Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta koordinim? Edhe pse ne qëndrojmë pas tyre, ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata neve si partnerë dhe kjo duhet të ketë pasoja… Do të jem shumë i sinqertë, SHBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se ne, disi, po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë.

Dua t’ua rikujtoj njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara. Ata [zyrtarët serbë], me vite të tëra, ishin kundër fushatës sonë për njohje [të Kosovës] dhe ne vazhduam përpara. Ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato si legjitime”, tha Escobar.

Në lidhje me shtensionimin e situatës, i dërguari i SHBA-ve u shpreh se zgjidhje mbetet propozimi i bërë nga liderët evropiane për zgjedhje të reja lokale si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës e Beogradit.

“Kjo do të thotë se ne duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që angazhohet për Asociacionin. Ne, po ashtu, duhet ta shohim Serbinë duke ndërmarrë hapa. Kjo duhet të bëhet tani. Ne duhet të pajtohemi për këtë sot dhe nesër, sepse të premten unë dhe Lajçak do të raportojmë te shefat tanë respektivë nëse kemi qenë të suksesshëm apo jo”, tha Escobar.

Nëse këto përpjekje dështojnë, “kjo do të dërgojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Jo Kosova, por kryeministri”.

“Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, tha Escobar.

Përsa i përket Asociacionit, Esobar tha ndër të tjera se është një mënyrë “për ta çliruar veriun nga kontrolli i Serbisë dhe për ta vendosur atë pjesë nën kontrollin e Kosovës”.

 “Është një ligj. Ata, thjesht, nuk e paraqesin”, tha zyrtari i lartë amerikan duke iu refeuar qeverisë së Kosovës