Gjykata e Tiranë ka lënë nën masën e arrestit me burg 14 vjeçarin i cili i mori jetën të hënën e 18 nëntorit bashkëmoshatarit të tij, pak metra larg shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’.
Seanca për masën e sigurisë u mbajt në një spital privat në kryeqytet, atje ku i mituri vijon të qëndrojë për shkak të një plage të marrë në dorë prej ditës kur ndodhi përleshja e vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani.
I mituri i akuzuar për vrasjen e Martinit, deri më tani rezulton të jetë treguar jobashkëpunues me hetuesit, pasi nuk ka treguar se ku e ka fshehur thikën me të cilën ka kryer krimin. Ai ka thënë se nuk e mbante mend se çfarë ka ndodhur.
Prokuroria e ka riklasifikuar krimin e kryer nga i mituri në dy akuza, njëra është për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj të miturve”, ndërsa tjetra, ajo e “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.
Mbi këto akuza kodi penal parashikon një dënim minimal prej 20 vitesh, deri në dënimin kapital, atë të burgosjes së përjetshme. Por, në rastet kur autori është i mitur, ligji parashikon përgjysmim të dënimit dhe përjashtim nga burgimi përjetshëm. Me fjalë të tjera 14 vjeçari rrezikon minimalisht një dënim prej 10 vitesh burgim, nëse gjykata e shpall të fajshëm për akuzat.