I mori jetën ish të shoqes 23 vjeçe, dënohet përjetë Elton Metaj

Në momentin kur para saj u shfaq ish bashkëshorti, 23 vjeçarja Sabrina Bengaj po hante darkë… pikërisht në shtëpinë e prindërve të saj, jeta e nënës së re do të shuhej nga të shtënat me armë të ish bashkëshortit, Elton Metaj.

Afro dy vite nga kjo ngjarje tragjike e cila ndodhi në Fier, gjykata ka marrë më në fund vendimin për shpalljen fajtor dhe dënimin e autorit. Elton Metaj është dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e kryer.

“Shtetasi Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kanë lidhur martesë në vitin 2017, martesë nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre. Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti Elton Bengaj ndaj Sabrinës, e cila së bashku me vajzën e mitur është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier. 

Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Eltoni Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës. Rezulton se, ai ka kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020.  Një muaj më pas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kërkesës së paditëses Sabrina Bengaj, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për paditësen, me efekt shtirje deri më datë 14.10.2021, duke urdhëruar të paditurin Elton Bengaj  të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi, si dhe të mos kryejë vepër penale të dhunës në familje ndaj paditëses Sabrina Bengaj”, shkruhet në dosjen e prokurorisë së Fierit.