I mori jetën kunatës duke e qëlluar me sëpatë, 58 vjeçari hesht para trupës gjykuese, lihet në arrest me burg

Me kokën ulur, Tefik Tashi ka dalë përpara gjykatës së Elbasanit, e cila vendosi ta lërë në burg autorin e vrasjes së Alma Qevanit, kunata e 58 vjeçarit.

Këtë të shtunë autori u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. E teksa zhvillohej séance, 58 vjeçari ka qëndruar i heshtur.

Pak ditë më parë në fshatin Kusarth të Elbasanit, Tashi qëlloi me sëpatë kunatën e tij. 58 vjeçari kishte patur një sërë debatesh verbale me kunatën, ndërsa takimi i tyre i fundit, do të ishte dhe dita ku Alma do të humbte jetën.

58 vjeçari e kishte telefonuar atë dhe bashkëshorten, por ato nuk i kishin hapur celularin. Me t’u takuar në anë të rrugës, dhe pas një debati, Tashi e ka qëlluar për vdekje kunatën me sëpatën që mbante në dorë. 58 vjeçari tentoi të arratisej, por u pikas nga policia teksa vraponte me sëpatë në dorë e duart e gjakosura.

Përpara hetuesve ai pranoi krimin dhe tregoi se e kishte kryer aktin me vetëdije të plotë. Ai u tregoi hetuesve se prej kohësh kunata e ofendonte.