I mori jetën kunatit pasi mësoi çfarë i kishte bërë të bijës, gjykata çon në qeli 50 vjeçarin Fatmir Talellari

Një ankimim i prokurorisë është pranuar të hënën nga dhoma këshilluese penale e Volosit, e cila ka ndryshuar së fundmi verdiktin e dhënë pak ditë më parë nga gjykata për 50 vjeçarin Fatmir Talellari. Kësisoj, 50 vjeçari që i mori jetën kunatit 33 vjeçar, kur mësoi se ky i fundit i kishte përdhunuar të bijën prej 9 vitesh, tanimë do të zhvendoset në ambientet e paraburgimit.

Disa ditë më parë gjykata vendosi ta lërë në ‘arrest shtëpia’ 50 vjeçarin, por duket se ankimimi i organit të akuzës e ka ndryshuar situatën. Tanimë 50 vjeçari do të qëndrojë në qeli, deri në vendimin përfundimtar të drejtësisë.

Media greke shkruan se masa e arrestit në banesë erdhi si pasojë e përplasjes e mosmarrëveshjeve mes prokurorisë dhe hetuesit të rastit.

Siç thekson media greke, 50 vjeçari shqiptar do të dërgohet në burgun e Larisa-s.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, 50 vjeçari Fatmir Talellari mori vesh nga e bija 18 vjeçare, se vajza ishte ngacmuar e përdhunuar qëkur ajo kishte qenë një fëmijë 9 vjeçar. 50 vjeçari e mësoi faktin kur pronarja e shtëpisë ku e bija qëndronte me qira, i tha atij se vajza nuk i kishte paguar paratë. 50 vjeçari e pyeti të bijën ndërsa kjo e fundit tregoi se paratë ia kishte marrë personi që prej vitesh e përdhunonte. 50 vjeçari insistoi të mësojë emrin e personit dhe pas mëse 1 dite orvatjesh, kuptoi se përdhunuesi i të bijës kishte qenë kunati i tij 33 vjeçar (vëllai i gruas së tij të dytë).