I mori jetën në aksident 24 vjeçarit dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet 55 vjeçari në Elbasan

Një 55 vjeçar është arrestuar nga policia, disa ditë pasi aksidentoi për vdekje një të ri në rrugën “Elbasan- Librazhd”. Ngjarja tragjike ndodhi më 6 shtator rreth orës 23:00 të mbrëmjes. 55 vjeçari iku nga vendi i ngjarjes pasi e goditi me makinën e tij të riun. 24 vjeçari udhëtonte me motor.

Policia njoftoi së fundmi se e ka arrestuar 55 vjeçarin i cili akuzohet për disa vepra penale.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në vijim të punës hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur më datë 06.09.2024, rreth orës 22:50, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi H. S., 24 vjeç, që lëvizte me motomjet, ndaluan me iniciativë shtetasin N. B., 55 vjeç, banues në Elbasan.

Shtetasi N. B. ishte shpallur në kërkim, sepse u largua nga vendi ku mbrëmjen e datës 06.09.2024, automjeti që ai drejtonte u përplas me një automjet dhe me një motomjet që drejtohej nga 24-vjeçari, i cili për shkak të dëmtimeve humbi jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.”,njoftoi.