I mori jetën të bijës 25 vjeçe dhe bashkëshortit të saj, shqiptari kërkon uljen e dënimit në Australi

I dënuar përjetë për vrasjen e të bijës dhe bashkëshorit të saj, shqiptari Osman Shaptafaj ka kërkuar ulje të dënimit në gjykatën e apelit në Melburn të Australisë.

Gjykata e dënoi me dy burgime të përjetshme 59 vjeçarin si dhe me mospasjen e të drejtës për dhënie garancie pa kryerjen e të paktën 35 viteve burgim. Avokati mbrojtës i shqiptarit argumentoi se Shaptafaj me gjasë do të ndërronte jetë në burg në të tilla kushte dhe se ai kishte të drejtën e uljes së dënimit, bazuar në disa faktorë lehtësues (pranimi i fajësisë, koha e qëndrimit në qeli përgjatë pandemisë, etj).

Pavarësisht këtyre kërkesave, gjykata e apelit në Australi ka refuzuar uljen e dënimit, me argumentin se krimi i Shaptafajt ka qenë tepër i rëndë dhe i kryer në gjakftohtësi.

Më 2019, Shaptafaj vrau me armë zjarri të bijën Linditën (25 vjeçare) dhe bashëshortin e saj, Vetonin 29 vjeçar. Burri nuk pranonte martesën e të bijës me 29 vjeçarin, të cilën çifti e kishte celebruar një vit më herët. Shaptafaj kishte shkuar pranë banesës së prindërve të dhëndrit e u kishte bërë pritë çiftit, duke i qëlluar nga pas (në kokë). E bija ndërroi jetë në vend, ndërsa 29 vjeçari disa orë më vonë në spital.