I moshuari në Tepelenë arrestohet për prodhim të kriptomonedhave, në kërkim i biri

Një 67 vjeçar  është arrestuar nga policia e Tepelenës nën akuzën e prodhimit të kundërligjshëm të kriptomonedhave në banesën e tij në lagjen “15 shtatori”. Në kërkim është shpallur i biri i tij 35 vjeçar, ndërsa në banesë u gjetë një sërë pajisjesh që shërbenin për “prodhimin” e kriptomonedhave.

“Gjatë këtij operacioni, nga kontrolli i kryer në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në banesën e babë e bir, përkatësisht H. O., 67 vjeç dhe A. O., 35 vjeç, u gjetën disa pajisje që shërbenin për prodhim të kundërligjshëm të kriptomonedhave.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u arrestua në flagrancë 67-vjeçari, si dhe po punohet për kapjen e të birit 35 vjeçar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.”-njoftuan autoritetet.