“I njoh ata djem, i shihja përditë” Goditën 10 herë me thikë të moshuarin, si u zbuluan dy grabitësit shqiptarë

Disa pako me fruta të thata (lajthi) dhe kanaçet me pije energjike ishin elementët që ndihmuan policinë greke në arrestimin e dy të rinjve shqiptarë që shkuan të grabisin shtëpinë e të moshuarit në Kefalonia, por përfunduan duke e goditur këtë të fundit 10 herë me thikë.

73 vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën, shtruar në spital. Media greke i është rikthyer sërish ngjarjes së rëndë që ndodhi pak ditë më parë, duke sjellë detaje të reja mbi rastin.

Duke iu referuar burimeve policore, Protothema shkruan se dy shqiptarët kishin ngritur një strehë të vogël pranë shtëpisë së të moshuarit. Gjatë qëndrimit aty për të gjetur momentin e duhur për të vjedhur, Klodian Saliaj (25 vjeçar) dhe Xheladin Bejaj (18 vjeç) kishin shkuar në një market pranë për të blerë diçka për të ngrënë e për të pirë. Mbetjet i kishin lënë në strehë e mandej ishin nisur për të vjedhur, pa kuptuar se në banesë do të vinte i moshuari. Personi që goditi me thikë 73 vjeçarin ishte 25 vjeçari, ndërsa 18 vjeçari ruante jashtë.

Familjarët e të moshuarit ndërkohë, kanë folur për mediat vendase.

“24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për të”-tha nipi i 73 vjeçarit për televizionin ‘Mega’.

“Hajdutët jetonin në këto anë. Punonin në ndërtim. Xhaxhai jetonte i vetëm. Në shtëpi nuk kishte para. Ata kërkuan ta vrasin që ai të mos i identifikonte. Unë i njoh ata djem, i kemi parë thuajse përditë sepse këtu jemi një komunitet i vogël… jemi në shok”-tha një prej familjarëve të të moshuarit.