I “pashqetësuar” nga kamerat, arrestohet 32 vjeçari që kreu 16 vjedhje në Tiranë

Në thuajse të gjitha tentativat për të kryer vjedhjet, nuk shqetësohet shumë për kamerat e sigurisë që e kanë filmuar. Disa vjedhje kanë qenë të suksesshme nga ku janë marrë xhirot ditore, ndërsa në disa tjera 32 vjeçari Ergi Gjeçi nuk ka mundur të vjedhë, por pas ka lënë dëme në objektet e bizneseve ku është orvatur të vjedhë.

Policia e Tiranës ka arrestuar në mbrëmje 32 vjeçarin Gjeçi. I riu rezultonte të ishte dënuar më parë për lëndë narkotike dhe vjedhje. Nuk kishte shumë kohë që ai kishte dalë prej burgut. Gjeçi ka kryer vjedhje ku ka mundur, në biznese të vogla, ushqimore, minimarketë, furra buke, lokale e kudo ku ka parë një mundësi për të hyrë lehtë. Kur është pikasur nga policia, 32 vjeçari ka tentuar të arratiset, por aksidentalisht ka frakturuar dhe këmbën.

 “Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Cases”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale. Zbardhen dhe dokumentohen 16 raste vjedhjesh, në disa biznese të ndryshme. Arrestohet një 32-vjeçar, autor i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të disa qytetarëve, për vjedhje në subjekte të ndryshme, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cases”. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi E. Gj., 32 vjeç, banues në Tiranë.  Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se ky shtetas është autor i 16 rasteve të vjedhjes së shumave të parave në disa biznese në Tiranë”, njofton Policia.