I shtyhet seanca gjyqësore, Dan Hutra kapet me gazetarët: Do ju vijë dhe juve momenti, mos u mërzisni

Sot (3 tetor) është mbajtur seanca në gjyqin e themelit për vrarësin e trefishtë të grave Dan Hutra. Seanca ka qenë e shkurtër, pasi një prej gjyqtareve nuk është paraqitur, duke bërë kësisoj që gjyqi të shtyhet në një datë të dytë.

Në pritje të verdiktit të drejtësisë, Dan Hutra ka gjetur momentin që t’i drejtohet me disa fjalë gazetarëve të pranishëm në sallë.

Nga kafazi prej xhami, Hutra i është drejtuar atyre duke u thënë: ‘Mos gënjeni shumë”.

“Do zbërthehen të gjitha, çfarë keni thënë, gënjeshtra e të vërteta. Do të vijë edhe momenti juaj, mos u mërzisni”,ka thënë Hutra.

40 vjeçari vrau më 1 mars të vitit të kaluar brenda pak orëve 3 gra si dhe plagosi 3 të tjera. Viktimë mbeti Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish bashkëjetueses) Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish bashkëjetueses) si dhe Etleva Kurti 31 vjeçe (motra e një prej të burgosurve me të cilët Hutra kishte patur konflikt).

Të plagosura mbetën Marina Gurakuqi 45 vjeçe,  Elena Hysa 35 vjeçe, Kujtime Hysa 60 vjeçe (ish bashkëjetuesja me të ëmën) .

Hutra u arrestua para se të tentonte vrasjen e një burri në orët e mbrëmjes së 1 marsit, i cili sipas tij kishte patur gisht në vrasjen e babait (të Hutrës) vite më parë.

Pak muaj më herët, Dan Hutra tentoi të arratisej na burgu I Fierit, një plan I cili u zbulua nga autoritetet atje. Plani për arratisje ishte koordinuar dhe kryer në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë, të gjithë të akuzuar për vjedhje. Në dhomën e të paraburgosurve janë gjetur mjete të improvizuara për prerjen e zgarës së dritares, ndërsa në dhomën e Dan Hutrës janë gjetur një çarçaf i përshtatur si litar dhe po ashtu mjete prerëse të improvizuara.