I tha ‘Jo’ propozimit, i fejuari e hedh nga shkëmbinjtë… si u zbulua krimi që tronditi Turqinë

Policia turke ka arrestuar së fundmi një burrë të quajtur Nizamettin Gursu, 5 muaj pasi e fejuara e tij 39 vjeçare humbi jetën pas rënies nga lartësia e një shkëmbi në Canakkale, një qytet në veriperëndim të Turqisë.

Fillimisht ngjarja u raportua si një aksident tragjik. Nizamettin Gursu i kishte thënë hetuesve se ai kishte qenë me të fejuarën për një piknik dhe atje kishte vendosur t’i propozonte për martesë 39 vjeçares. Po sipas rrëfimit të tij, Yesim Demir i kishte thënë ‘po’ propozimit të tij. Pas përgjigjes pozitive Gursu kishte shkuar pranë makinës për të marrë një shishe e ushqime, kur papritur kishte dëgjuar ulërimat e 39 vjeçares. Kjo e fundit sipas burrit kishte rënë nga shkëmbinjtë, në një lartësi prej mëse 30 metrash.

Por në fakt, e vërteta ka qenë krejt ndryshe. Hetuesit kanë arritur të provojnë se unaza me të cilën propozoi burri, ishte ende në kutinë e saj. Gjatë analizës në vendin e ngjarjes, në vendin ku çifti kryente piknikun, u gjetën gota të thyera e madje edhe një spiker muzike i thyer, duke dhënë idenë se mes të dyve mund të kishte patur një përplasje fizike.

E veç provave të dyshimta në vendin e ngjarjes, familja e 39 vjeçares dëshmoi para hetuesve se Yesim kishte vendosur të ndahej nga Nizamettin dhe se kurrsesi nuk do të pranonte një propozim për martesë. Veç kësaj, familjarët e të ndjerës shpjeguan se 39 vjeçarja nuk i afrohej kurrë lartësive pasi kishte fobi prej tyre, një fakt që ata pretendojnë se e provojnë kartelat mjekësore të 39 vjeçares.

Në kohën e vdekjes së 39 vjeçares, Gursu luajti rolin e të fejuarit zemërthyer, duke treguar se e kishin zgjedhur atë vend (pranë shkëmbinjve) sepse iu duk romantike.

“E zgjodhëm për ta ruajtur në kujtesë atë si një vend romantik. Kishim pirë alkool. Gjithçka ndodhi shpejt. Ajo humbi ekuilibrin dhe ra”-deklaronte përpara hetuesve Gursu.

39 vjeçarja mundi t’i shpëtojë rënies, por u shua si pasojë e plagëve të shumta. Gursu aktualisht ndodhet në burg, dhe pret të përballet me drejtësinë.