Dhoma ku qëndron ky burrë është mbushur me dhimbjet që burojnë prej shpirtit të tij… Jasmina, vajza e tij është sëmurë, në gjendje të rëndë në spital.
“Për fat të keq, Jasmina është diagnostifikuar me leuçemi akute… i thashë doktoreshës, hiqma kurrizin tim, e shpëtoma vajzën.”-thotë ky baba, ndërsa zëri i tij dridhet.
Jasmina Neziraj është shqiptare e Kosovës dhe përballet me sëmundjen e leuçemisë. Familja e 20 vjeçares ka bërë çka mundur për vajzën, por kostot e kurimit janë tepër të larta. Është pikëlluese të shohësh një baba teksa përballet me këtë realitet… pamundësinë për të shpëtuar vajzën, dritën e syve. E kur babai i Jasminës thotë që nuk i kanë mundësitë, duket sikur një pjesë e qënies së tij, i largohet nga trupi.
“Ka nevojë për transplant, spitali ka kërkuar 140 mijë euro e ne nuk i kemi… (qan). Kam patur një motër e cila më ka vdekur, e ajo e ka patur emrin Jasmina. Kam dash me e ripërtëri, prap kemi patur një Jasminë. Por Allahu deshti, edhe mua të më sprovojë.”-rrëfen mes lotëve babai.
I mbytur nga lotët për të bijën, ky baba qan dhe i lutet Zotit që përmes ndihmës së shqiptarëve bamirës, t’i japë mundësinë për të kuruar të bijën.
“Për mua Jasmina është lule…edhe në emër të Zotit (qan), vajza do ta kalojë, në emër të Zotit vajza do të kthehet sërish këtu.”-përfundon rrëfimin e tij babai Jasminës