“I thashë të gjente punë, nuk pranonte” Qëlloi me thikë bashkëshorten, flet pas vetëdorëzimit 46 vjeçari

Nuk pranoi se arsyeja se përse qëlloi të shoqen disa herë me thikë, të kishte qenë xhelozia dhe fakti se ai shpesh herë vinte i dehur në shtëpi.

Fill pas vetëdorëzimit të tij në polici, Aleko Myrtollari ka folur përpara hetuesve duke thënë se e qëlloi me thikë të shoqen pas debateve në lidhje me gjetjen e një pune. 46 vjeçari tregoi se i kishte kërkuar të shoqes të gjente e niste një punë, kërkesë që sipas tij ajo e kishte refuzuar.

Pas konfliktit, situata ka agravuar e mandej 46 vjeçari e ka qëlluar me thikë gruan. Marjola ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore, në spitalin e Traumës në kryeqytet.

Çifti me fëmijë të mitur kishin pak kohë që kishin ardhur në Korçë, pas jetesës në Tiranë. 46 vjeçari punonte me intervale kohore në Greqi. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 4 qershorit, ndërsa autori për dy ditë arriti të fshihej derisa u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme.

Kujtojmë se në harkun kohor të 5 muajve, 8 gra kanë humbur jetën në Shqipëri, krime që në shumicën dërrmuese kanë ndodhur nga duart e bashkëshortëve apo të afërmve të tyre.