I verbër e baba i dy jetimëve, rrëfimi i Blerimit: Kur humba time shoqe, iku dhe drita… sot jam në terr

“Unë humba për herë të dytë dritën e syve të mi. Jam kenë i verbër, por tash jam edhe më i verbër. Unë përmes syve të saj kam parë, kam dëgjuar, kam shëtitur e lëvizur, gjith botën e kam shikuar përmes syve të saj. Tani kam mbetur në terr komplet.”

Është ky përshkrimi në të cilin e gjen veten Blerimi, sot i mbetur fillikat, pa dritën e syve të të shoqes.  Shikimin e humbi kur ishte ende fëmijë, në një aksident tragjik që veç syve të tij i kushtoi dhe vdekjen e të vëllait.

Por më e madhja dhimbje, më e forta goditje dhe më errëta hije, ra përsipër jetës së këtij babai, në momentin kur e shoqja Fatimja, humbi jetën prej kancerit.

Blerimi rrëfen me dhimbjen që i shtrëngon gjoksin, se e shoqja ishte gjithçka për të, drita dhe sytë që ai i humbi dhe rigjeti për afro 10 vite.

“Ajo ka qenë jeta ime (qan)… unë jetoj për hatër të fëmijëve tani, për mua ajo ishte…. Për mua ishte gjithçka, ishte shikimi im, kurajo ime, ishte forca ime, për gjithçka e kisha krahë të djathtë.”-tregon Blerimi.

Ai e takoi Fatimen afro 10 vite më parë. Edhe pse nuk e pa kurrë me sytë e ballit, Blerimi rrëfen se njihte çdo fije floku të të shoqes.

“Ajo ishte 23 vjeçe në kohën që e njoha. Për herë të parë kam ecur dora doraz. Më dha dorën dhe aty e kuptova, thash do Zoti është për mua. Ajo më jepte ngrohtësi, më ndihmonte, më shpjegonte, më ofronte, më jepte kurajo… më bëri të harroj vetveten dhe më bëri të fokusohem tek dashuria për të, dashuri që ma jepte vazhdimisht. Në qershor do të kishim bërë 10 vite bashkë. Nuk e arritëm.”-rrëfen Blerimi.

I fundit takim ka qenë në aeroportin Malpensa në Italinë fqinje. Blerimi tregon se dëgjoi të qarën e prekur lotët e të shoqes, e cila në atë kohë kishte nisur kimioterapitë për të mundur sëmundjen. Fati e desh, që në moshën 32 vjeçare, Fatimja të mbyllte sytë pa e parë dot më Blerimin, pa parë dy fëmijët e tyre të vegjël.

“Herën e fundit që e takova, ishte në aeroportin në Malpensa, Itali. Hera e parë në jetën time që e kam parë që i lëshuan lotët, qau. Më thoshte (qan), amanet ke veç fëmijët, përpiqu të bëhesh nënë e babë. I shtrëngova dorën dhe ai ishte takimi i fundit për ne.”-rrëfeu Blerimi, me zërin që i dridhet.