Fundi tragjik i 51 vjeçarit, identifikohet trupi i dekompozuar, gjetur në fshatin Xarrë të Sarandës

Një ditë pas gjetjes së një koke e trupi të dekompozuar në fshatin Xarrë të Sarandës, ekspertët mjeko-ligjorë kanë mundur të identifikojnë se kujt i përkiste trupi i pajetë. Ai është Adnant Jaupi, 51 vjeçar nga Elbasani.

I ndjeri punonte si çoban në zonën e Xarrës dhe sipas ekspertimit mjeko-ligjor, kishte afro 3 muaj që ishte zhdukur.

Nga hetimi deritanishëm nuk janë konstatuar shenja të goditjes me mjete të forta apo plagë të shkaktuara nga plumbi.

Vendi ku u gjet trupi i të ndjerit (fillimisht koka e mandej trupi dekompozuar), ishte një tunel me gjerësi rreth 1 metër dhe gjatësi 3-4 metër. Sipas autoriteteve, 51 vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrale, ndërsa më vonë trupi i tij është copëtuar nga kafshët e egra.

Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për gjetjen e mbetjeve kockore humane, në proces dekompozimi, pranë varrezave të fshatit Xarrë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në zonë dhe veprimet hetimore për këtë rast. Si rezultat, është bërë e mundur gjetja e trupit të cilit i përkisnin mbetjet kockore dhe identifikimi i kufomës, shtetasit A. J., 51 vjeç, banues në Elbasan.      

Nga hetimet e deritanishme të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dyshohet se ky shtetas (i punësuar çoban në fshatin Xarrë) ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra.    

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.