Kombëtarja e Shqipërisë nis këtë të hënë stërvitjet e punën për ndeshjet në Ligën e Kombeve. Më datat 7 e 10 shtator, kuqezinjtë përballen me Ukrainën e Gjeorgjinë, në ndeshjet e vlefshme për grupin B1.
Trajneri Silvinjo ka dalë në konferencë për shtyp këtë të hënë, nga ku ka treguar se Armando Broja nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës.
“Armando Broja nuk do të jetë në dispozicion me ne. Kemi mbetur në kontakt me stafin mjeksor të ekipit të tij dhe na kanë njoftuar se ka një problem me tendinën e Akilit dhe do t’i duhen rreth 10 ditë rikuperim, kështu vendosëm ta zëvendësojmë me Uzunin,”, tha Sylvinho.
Pjesë nga intervista e Silvinjos, pyetje përgjigje me gazetarët
Koha për Etrit Berishën ka përfunduar?
Silvinjo: Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Berisha nuk ka një kontratë. Prandaj e humbet këtë periudhë. Po punojmë për të ndërtuar ekipin, kështu që është e hapur për në vazhdim.
Keni tentuar të kontaktoni me Brajan Grugën për të ardhur te Shqipëria?
Silvinjo: Një pjesë e rëndësishme e punës sot është mbledhja e talenteve. Kemi 3 milionë banorë në Shqipëri, por shumë të tjerë janë jashtë. Është e vështirë, nuk është një punë sekrete. Ai ka dy nacionalitete. Kur lojtarët kanë interes, ata kontaktohen. Nuk mund të them se çfarë po bëhet konkretisht, por po bëhet një punë shumë e mirë.
E shihni Ligën e Kombeve si një mundësi për të freskuar skuadrën, apo do të jeni racionalë sikurse keni qenë në shumicën e kohës?
Silvinjo: Liga e Kombeve na jep një dorë të mirë për botërorin. Ndeshjet me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë do të jenë të forta. Jemi një kombëtare që po rritet. Në listën që kemi përpiluar vetëm Zeka dhe Spahiu janë thirrur për herë të parë. Duhet të bëjmë vlerësime, por jo eksperimente. Ne futemi në fushë me shpirt dhe me zemër.