“Im shoq kishte ditëlindjen kur i ra infarkti” Rrëfimi tronditës i Dafinës: Para se të shuhej, mu lut për fëmijët

“Burri im u rrit jetim dhe ai fat i ndoqi dhe fëmijët e mi…”

Ky ishte fati i zi i Dafinës. Nëna e dy fëmijëve jetimë rrëfen mes lotëve se i shoqi ndërroi jetë ditën kur kishte ditëlindjen, në ditën kur i shoqi kishte blerë një tortë për të gëzuar fëmijët.

“Si çdo vajzë, ëndërroja jetë të mirë, por… ishte shoku jetës, kishim shumë plane për të ardhmen, shumë ëndrra, për të rritur fëmijët, për të ndërtuar një shtëpi… të ishim të lumtur, por kështu qe e shkruar.

Burri im u rrit jetim dhe ai fat i ndoqi dhe fëmijët e mi, të rriten jetimë. Pra dy vitesh ndërroi jetë, infarkt. Atë natë që e dërguam në spital kishte ditëlindjen, më 12 mars. Kishte blerë tortë… fëmijët loznin me tortën, se ai vetë nuk hëngri e nuk piu, ishte aq keq saqë…”-tregon Dafina.

Me zërin që i dridhet prej vuajtjeve të shumta që provoi, Dafina kujton momentet e fundit me të shoqin në spital dhe amanetin që ai i la.

“Nuk i harroj kurrë momentet, kur më futën në reanimacion. Ishte me atë tubin… (qan) kam ulëritur aq shumë… një orë para se të ndërronte jetë, më foli. Më tha vetëm, kujdesu për fëmijët. Kur e morën (për në spital) që iku, thoshte… ku do t’i lë unë fëmijët e mi. Ia ndiente shpirti se po largohej”-rrëfen Dafina.