Imazhi i fundit i teleskopit “James Webb” tregon në detaje disa formacione të pazakonta në qendrën e galaktikës sonë, përfshi këtu edhe disa struktura të pavëzhguara më parë e që nuk gjejnë shpjegim nga shkenca.
“Nuk kemi patur asnjëherë të dhëna në infra të kuqe për këtë zonë e me këtë rezolucion të lartë, kësisoj po shohim një sërë formacionesh për herë të parë. Teleskopi po na sjell disa detaje të mahnitshme, duke na lejuar të studiojmë formacionin e yjeve të reja”-tha Samuel Crowe, një prej drejtuesve të studimit mbi vëzhgimin në fjalë.
Në imazh dallohen afro 500 mijë yje, ndërsa një shumicë e madhe e tyre janë ende në formim dhe të mbledhur në “një grumbull”. Disa prej yjeve kanë një masë mbi 30 herë më të madhe se Dielli jonë.
Në imazh po ashtu dallohen dy formacione të cilat mbeten ende të pashpjeguara. Teleskopi ka kapur një zonë masive të mbushur me hidrogjen të jonizuar (në foto me ngjyrë në mente/bruztë) i cili në mënyrë tipike gjendet nga emetimi i yjeve masive, por në imazh një trup i tillë nuk është vëzhguar, duke e bërë të mistershëm origjinën e gazit.
Një tjetër element që ka habitur studiuesit, janë strukturat që i përngjajnë disa gjilpërave në zonën masive të mbushur me hidrogjen të jonizuar, të cilat parqiten në mënyrë kaotike e në disa drejtime.
“Qendra e galaktikës është e tejpopulluar, një zonë e trazuar, e zhurmshme. Atje gjen zona turbulente, me re gazi të magnetizuara, të cilat impaktojnë të gjithë hapësirën. Atje gjen zona me erëra të forta, xhet-e gazi e rrezatimi të lartë. Teslekopi na ka dhënë një sasi të madhe me të dhëna për këtë mjedis kaotik, dhe ne sapo kemi nisur t’i studiojmë”-tha Ruben Fedriani, një ndër drejtuesit e projektit të vëzhgimit.
Qendra e galaktikës është afro 25 mijë vite dritë larg Tokës dhe mjaftueshëm afër për teleskopin Jamës Webb, që të mund të vëzhgojë yje individualë.