Imazhet spektakolare të kafshëve të egra në Shqipëri e Kosovë dhe nisma e veçantë e fotografit Mavriqi

Fotografi kosovar Arian Mavriqi ka publikuar së fundmi fotot e videot më të bukura të botës së egër për vitin 2023, një kolazh me imazhe të botës së pasur të kafshëve të egra që jetojnë në territoret tona.

Në një prononcim për abc-në, ai tregoi se shumë prej fotove të shkrepura i ka stamptuar në bluza, ndërsa fondet e mbledhura prej shitjes së tyre, ka ndërmend t’i vërë në shërbim të një kauze të mirë. Mavriqi shpjegoi se me paratë do të sigurojë ushqim për kafshë endacake.

“Me këto video dhe fotografi mendoj që po ndikojmë pozitivisht që gjithë populli jonë të ketë një pasuri të botës sonë të egër.

Është kënaqësi që me këto fotografi kemi arritur të bindim dhe disa gjuhetarë të cilët më herët kanë  gjuajtur ndonjë kaproll. Tani ata na tregojnë vendet që ku ndodhen dhe nuk i vrasin, sepse ndjejnë turp. Duam të ndikojmë te gjeneratat e vjetra, të cilët më herët kanë vrarë kafshë të ndryshme.

Me shumë kënaqësi vij për xhirime në Shqipëri, në Luginën e Karavastas, në Luginën e Nartës, por dhe në liqenin e Shkodrës që është një perlë  për speciet e rralla.

Unë kam marrë një kauzë së fundmi që me fotot e stampura, do t’u sigurojë një shumë për kafshët, veçanërisht për qentë endacakë”, u shpreh Ariani.