Rolly Prajapati po flinte e qetë në dhomën e shtëpisë, të cilën e ndante me 5 vëllezërit e motrat e saj. Në dhomën tjetër, prindërit po përgatisnin drekën, kur papritur dëgjuan një zhurmë dhe të bërtitura.
Kur burrë e grua shkuan në dhomën e fëmijëve, Rolly po qante dhe më pas ra në tokë pa ndjenja. Një plumb qorr kishte hyrë në dhomën e fëmijëve dhe kishte goditur pranë veshit Rolly-n 6 vjeçe.
Babai e nëna e 6 vjeçares vrapuan drejt spitalit, ndërsa disa orë më pas, vajza e tyre humbi jetën. Familja Prajapati jetonte në kushte të vështira ekonomike.
Pas ditësh dhimbje e zije për vajzën, babai i 6 vjeçares së ndjerë vendos të bëjë një akt që jo shumë zgjedhin ta bëjnë në Indi. Ai vendosi t’i dhurojë organet e të bijës, me shpresën se do të shpëtojë jetë të tjera.
“Nuk e dija se çfarë të bëja, më shkonte ndërmend çdo natë kjo gjë. Eventualisht vendosa që ta bëj këtë akt, duke menduar se nëse organet e vajzës sime do të shpëtonin qoftë një jetë, atëherë ky do të ishte vendimi i duhur”-tregon për BBC-në babai i të ndjerës.
E me të vërtetë, ky akt arriti t’i shpëtojë jetën jo një, por 4 personave. Siç raporton BBC-ja, u shpëtuan një fëmijë 14 vjeçar (veshkat), një 6 vjeçar (mëlçia) dhe dy vogëlushë (valvulat e zemrës) një dhe 4 vjeçarë.