Pak ditë më parë “Shqiptarët për Shqiptarët” solli në vëmendje rastin e një vogëlushi veçse 7 muajsh, i cili rrezikonte shikimin e jetën. Në pamundësi ekonomike për ta kuruar Velisjanon jashtë shtetit, nëna e vogëlushit iu lut për ndihmë shqiptarëve. Ajo rrëfente mes lotëve gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej i biri.
“Dhimbjen e ka të madhe… e shpreh vetëm duke qarë, i ikin sytë, i zbardhen… trupi i rri i ngrirë. O Zot, kam shumë frikë se në ato momente mund t’i ndodhë diçka. Unë ditët i kam shumë të errëta. Më dhemb shpirti kur e shoh ashtu, do jepja jetën për dritën time. Shqiptarëve u lutemi, kudo që janë, që t’ja kthejnë djalit shikimin… i lutem me shpirt”-rrëfen nëna e Velisjanos, Stela.
Brenda një kohe të shkurtër dhe falë njerëzve zemërmirë, u bë e mundur arritja e shumës së nevojshme për të dërguar për kurim të specializuar Velisjanon. Fjalë prekëse tha gjyshja e vogëlushit e cila me lot në sy falenderoi të gjithë bamirësit.
“Po niset djali për në Itali… unë i falenderoj të gjithë shqiptarët, kudo që janë… nuk e di ç’fjalë më të ngrohtë të them për ata që më ndihmuan djalin. Shpresë kam shumë, inshallah më ndihmon Zoti e djali të më kthehet mirë”-tha e moshuara.