Ishte duke fjetur me të bijën kur kunati i mori jetën 37 vjeçares, dinamika e ngjarjes tragjike në Tiranë

Migena po flinte në shtrat me të bijën veçse dy vjeçe, në momentin kur vëllai i bashkëshortit, ka hyrë në dhomë dhe e ka qëlluar me pistoletë. Krisma zgjoi të gjithë familjen që jetonte në Shkozë, ndërsa ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Migena ndërroi jetë pranë të bijës, ndërsa fëmija tjetër i saj, një djalë 4 vjeçar, ndodhej në shtëpinë e familjarëve të të ndjerës. Motër e vëlla mbetën jetimë.

Ende nuk është zbuluar shkaku i këtij krimi të rëndë, ndërsa më pas kunati i të ndjerës ka dalë nga shtëpia e ka qëndruar në oborr. Në ato momente, Rolandi 43 vjeçar e ka drejtuar armën tek vetja duke u vetëflijuar. Nga hetimet paraprake dyshohet se 43 vjeçari po vuante nga probleme të shëndetit mendor, një pistë që pritet të zbardhet plotësisht nga hetuesit.

“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Shkozë, në banesë, shtetasi R. S., 43 vjeç, në rrethana ende të paqarta dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kunatën (nusen e vëllait) shtetasen M. S., rreth 37 vjeçe dhe më pas ka vrarë veten.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”-njoftoi policia.