Në Terni të Italisë fqinje, vrasja e Zenepe Uruçit ka tronditur të gjithë komunitetin. Gruaja 56 vjeçare po bëhej gati të dilte për punë, në momentin kur i shoqi 62 vjeçar e ka qëlluar disa herë me një thikë të madhe kuzhine (30 cm), duke e lënë të pajetë.
Në lidhje me ngjarjen foli një prej mikeve të së ndjerës, e cila tregoi për median italiane se Zenepja ishte njeri punëtor. Ajo tregoi se prej kohësh, 56 vjeçarja jetonte me frikë dhe se largimit drejt punës, ishte e vetmja kohë përgjatë ditës, ku ajo mund të gjente qetësi.
“Kohët e fundit jetonte me frikë. Më tha se sa më pak të qëndronte në shtëpi, aq më mirë ishte pasi kishte debate të vazhdueshme… Me shumë mundësi ato orë pune ishin momente qetësie për të pasi e ndihmonin që të shkëputej nga ajo që ndodhte çdo ditë”, ka treguar shoqja e të ndjerës.
Sipas saj, i shoqi ishte xheloz sepse ajo punonte. Por fakti ishte se 56 vjeçarja ishte ajo që sillte paratë në shtëpi, ngaqë i shoqi nuk kishte punë të rregullt. Shoqja e të ndjerë shtoi më tutje se disa kohë më parë Zenepja erdhi në punë me sy të nxirë.
“Më tha se në shtëpi kishin zënka të vazhdueshme. Në disa raste shpërtheu në të qara, kur po flisnim për to. Rreth një vit më parë, për një periudhë kohe e pamë me sy të zi. Nuk më tha gjë mua, por dukej se ato shenja nuk ishin aksidentale. Duhet shtruar pyetja pse askush nuk e ndihmoi atë”, tha shoqja.
Ditën e enjte, Xhafer Uruçi, 62 vjeçar, e qëlloi të shoqen me thikë në qafë, bark dhe kurriz.
“Prej vitesh situata ishte përkeqësuar. Zenepja shpesh ishte nervoze, punonte vetëm. Me fëmijët dhe nipërit mund të gjente pak qetësi. Burri kishte probleme të ndryshme. Ajo ishte njeri i mirë dhe i ndjeshëm. Donte t’i ndihmonte të gjithë, por në fakt ishte ajo që kishte nevojë më shumë se të gjithë”, tregoi më tutje e shoqja.
Siç raportoi media italiane, e ndjera kishte telefonuar djalin pak para se të vritej nga duart e bashkëshortit. Ka qenë ky i fundit i cili ka lajmëruar policinë pasi dëgjoi britmat e nënës në celular.