“Ishte njeri pozitiv, jam i pikëlluar” Përcillet me nderime në banesën e fundit oficeri 28 vjeçar

Është përcjellë për në banesën e fundit oficeri 28 vjeçar i ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia, ndërsa ceremoninë mortore e përmbyllën tre të shtëna me armë nga ana e togës policore.

Miq, familjarë, kolegë dhe zyrtarë të lartë, morën pjesë në varrimin e të riut që humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë në një rrugë të fshatit Baltëz të Fierit.

I riu u qëllua me armë nga një 23 vjeçar. Hetuesit mendojnë se motivi i përplasjes ka qenë një konflikt i momentit.

Por sot, pas përfundimit të ceremonisë mortore, disa prej të afërmve të të ndjerit, treguan skepticizmin e tyre në lidhje me motivin.

“Ndihem shumë i pikëlluar për këtë ngjarje. Kjo ka qenë një vaki që mund t’i ndodhte gjithkujt, por e planifikuar. Jo krejt i paqenë, nuk është rastësi për mendimin tim. Besoj që është e organizuar. Nuk është rastësisht. Për një sherr makine nuk vritet njeriu”, shprehet një i afërm.

Të tjerë të afërm, të pikëlluar, shprehen se Novruzi ishte djalë pozitiv dhe se nderimet e bëra për të ishin të plota.

“Djalë pozitiv dhe sigurisht ka qenë i përkushtuar për të kryer detyrën që iu është ngarkuar. Nderimet që iu bënë nga shteti shqiptar janë shumë të plota, janë nderime që mund t’i ishin bërë një njeriu ndoshta edhe me karrierë më të gjatë në polici. Mirëpo ata kanë edhe qenë familje që kanë punuar për policinë, dhe gjithnjë kanë qenë në pozicionin që me luftuar krimin”, shprehet një i afërm.

“Besoj që policia do ta kapë (autorin), do ta çojë para drejtësisë, do marrë atë që meriton. Dhe duhet ta kryejë këtë detyrë. Edhe me një çmim shumë të lartë”, shprehet një tjetër.

 “Nipin e njohim djalë shumë të mirë, ka rënë pre e bandës. Ishalla sa më shpejt e kapin atë vrasës. Janë vrarë shumë djem të rinj, janë djem nënash. Nuk di çfarë të them më, se jemi shumë të lënduar”, shton një tjetër.