Një 56 vjeçar i identifikuar si Edmond Veseli, është gjetur i pajetë në zonën e njohur si ‘Fusha e Mejdanit’ në qytetin e Krujës, 22 ditë pas shpalljes së tij si i zhdukur.
Ishin familjarët e të ndjerit të cilët nisën kërkimet që më 30 nëntor për të ndjerin, pasi ai ishte larguar nga banesa e nuk ishte bërë më i gjallë. Këta të fundit denoncuan rastin në polici një ditë më vonë dhe prej atje nisën kërkimet.
Pas 22 ditësh kërkime, i ndjeri është gjendur i pajetë nga një bari i zonës. Sipas autoriteteve, 56 vjeçari dyshohet të ketë humbur jetën për shkaqe natyrale (arrest kardiak), pasi nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja të dhunës.
Njoftimi:
Krujë/Më datë 22.12.2024, në vendin e quajtur “Fushat e Mejdanit”, është gjetur i pajetë shtetasi E. V., 56 vjeç. Nga këqyrja paraprake në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se e ka humbur jetën për shkaqe natyrale. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 01.12.2024, për largim nga banesa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.