Itali, akti heroik i 37 vjeçarit: Arrin të kapë 4 vjeçaren që ra nga kati i pestë i pallatit

Një vogëlushe 4 vjeçare është gjallë për mrekulli, fill pasi ra nga kati i pestë i pallatit ku jetonte në periferi të qytetit të Torinos në Itali. Vogëlushja u dërgua në spital dhe nga sa kanë mësuar mediat italiane, ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore e së shpejti do të shkojë në shtëpi.

Vajza 4 vjeçe u shpëtua nga një 37 vjeçar i quajtur Matia Aguzi (Mattia Aguzzi), i cili po kalonte krejt rastësisht në trotuarin poshtë godinës ku jetonte e mitura. Matia ishte me të fejuarën dhe kishin dalë për të bërë pazare. I riu u alarmua në momentin kur dëgjoi të bërtiturat e një prej fqinjëve në pallatin përballë asaj ku ndodhej vogëlushja. 4 vjeçarja ishte në ballkon dhe në pak momente ka rënë nga lartësia e konsiderueshme (nga kati i pestë). Matia është pozicionuar menjëherë poshtë dhe për mrekulli ka mundur ta kapë në ajër vajzën.

37 vjeçari mori disa lëndime në krahë e gjoks dhe foli për median italiane.

“Dola nga shtëpia në mëngjes (dje e shtunë) me të fejuarën. Unë nuk besoj në fat të shkruar, por në atë vend nuk do të kaloja kurrë nëse kushëriri im nuk do më kishte kërkuar t’i blija një bukë. Në një moment, dëgjuam britmat e një djali që kishte parë vajzën duke u varur në ballkon. Ai i bërtiste vajzës që të mos lëvizte, por ajo nuk dëgjonte. Në atë moment unë qëndrova poshtë saj, derisa e pashë që vajza rrëshkiti dhe ra. Në atë moment shpresova që gjithçka të shkonte mirë. Vajza ra tek gjoksi im dhe të dy u rrëzuam në tokë. Në fillim vajza nuk tha asnjë fjalë dhe ato ishin sekonda të papërshkrueshme për mua… por më pas ajo nisi të qaj dhe aty u qetësova. Impakti ishte i fortë dhe në fillim nuk merrja dot frymë. Më pas e mora veten. Në momentin kur vajza ra, më duket se kam mbyllur sytë në pritje të saj, me krahët hapur. Karabinierët më thanë që ajo është mirë. Tani shpresoj që të mund ta takoj”-tha për median italiane heroi 37 vjeçar.