Itali, akti heroik i dy nënave shqiptare: Çarmatosin grabitësin në farmacinë ku po pastronin

Maria e Albana, dy gra shqiptare që punojnë si pastruese, kanë mundur të parandalojnë një grabitës në një farmaci në Firenze, teksa ky i fundit i kishte drejtuar pistoletën farmacistes dhe i kërkonte paratë.

“Corriere Fiorentino” i ka kushtuar një artikull heroizmit të dy grave shqiptare, të cilat kanë mposhtur frikën dhe kanë bërë që hajduti të largohej.

Dinamika e ngjarjes

“Një burrë me kapuç vjen në farmacinë në Galluzo të Firenzes, i armatosur… po priste në radhë ndërsa në fytyrë vendosi një shall që i mbulonte fytyrën. Më pas, kur erdhi radha e tij, ai nxorri pistoletën dhe ia drejtoi farmacistes, duke i kërkuar që t’i jepte të gjitha paratë në kasë.”-shkruan Corriere

E në atë në moment në farmaci, ndodheshin dy shqiptaret Maria e Albana, mike mes tyre e punëtore sanitare. Të dyja gjetën forcën, për t’i bërë ballë grabitësit.

“Po pastroja raftet në hyrje të farmacisë… pashë nga larg që një djalë i kishte drejtuar armën doktoreshë Elisës. E pashë atë të ulej poshtë banakut, u tremba se mendova mos kishte vdekur. Më pas vura re se hajduti e vendosi armën në banak dhe aty nuk u mendova gjatë… instiktivisht shkova drejt tij, duke ecur pa u dëgjuar, dhe kapa pistoletën nga banaku. Pastaj vrapova drejt daljes së farmacisë me pistoletën në dorë, hajduti më erdhi nga pas”-tregon Maria, 39 vjeçare.

Mandej, shpjegon Corriere, Maria e hajduti u përleshën fizikisht dhe në një moment 39 vjeçarja bie në tokë, ndërsa pistoleta disa metra larg saj. Në këtë moment hyn në veprim Albana, e cila arrin të kapë pistoletën dhe fillon të vrapojë. Hajduti sërish nis të vrapojë, kësaj here drejt Albanës. Pas disa metrave me vrap, Albana hedh pistoletën dhe largohet, ndërsa grabitësi merr armën dhe tanimë në pamundësi për t’u rikthyer në vendin e krimit, ia mbath.

Corriere shpjegon tanimë Maria e Albana janë sërish në të njëjtën farmaci, duke vijuar me punën e tyre.

“Maria është 39 vjeçe, jeton në Itali qëkur ishte 19 vjeç dhe është e martuar me tre fëmijë. Albana ka dy djem dhe është që kur ishte 23 vjeçe. Të dyja vajzat të lindura në Shkodër, erdhën në Itali për t’u bashkuar me burrat e tyre”-shkruan Corriere.

“Gjesti ynë mund të duket heroik, por në të vërtetë vepruam instiktivisht për të mbrojtur njerëzit në farmaci, sepse kishte atë moment shumë njerëz, përfshi dhe një nënë me një vogëlush 2 vjeçar”-shpjeguan dy shkodranet.