Itali: Dy javë në gjendje kome pasi u godit me makinë nga shqiptari që përndiqte ish gruan, zgjohet oficeri 37 vjeçar

Media italiane ka raportuar së fundmi se është zgjuar nga gjendja e komës karabinieri 37 vjeçar i cili u godit me makinë nga Haxhi Çollaku, shqiptari i cili kishte shkuar i armatosur në banesën e ish të shoqes në Padova. Edhe pse i ndarë që prej 2009 nga e shoqja, ish mësuesi i matematikës e përndiqte vazhdimisht atë, ndërsa më 14 korrik, përndjekja e radhës do të ishte e fundit.

Çollaku, mbeti i vrarë nga oficeri tjetër i patrullës, i cili qëlloi 4 herë me armën e shërbimit në drejtim të 55 vjeçarit. Shqiptari kishte shkuar i armatosur me një thikë në banesën e ish të shoqes. Kjo e fundit e kishte parë nga dritarja e menjëherë kishte lajmëruar policinë. Një patrullë (me dy oficerët) mbërriti në vendin e ngjarjes. Sapo Çollaku pa patrullën dhe thirrjen e tyre për t’u larguar, i hipi makinës së tij Skoda dhe bëri sikur u largua. Në këtë moment, 55 vjeçari i jep gaz makinës dhe drejtohet pikërisht tek oficerët, duke përplasur njërin prej tyre (37 vjeçarin). Pasi e godet me makinë, Çollaku del prej mjetit dhe e kërcënon me thikë të plagosurin, ndërsa oficeri tjetër e qëllon me armë (Çollaku humbi jetën gjatë transportit për në spital).

Oficeri i plagosur kishte afro 2 javë në gjendje kome. Rrezikoi jetën e mandej mundësinë e amputimit të njërës këmbë, e dëmtuar rëndë prej përplasjes nga makina.

Media italiane shkruan se fatmirësisht polici është në gjendje të stabilizuar dhe në ditët në vijim pritet dëshmia e tij përpara drejtësisë. Kjo edhe për faktin se kolegu i tij, oficeri Vittorio Stabile, përballet me hetimet penale për akuzën e tejkalimit të ushtrimit të detyrës.