Itali: Dy motrat shqiptare bien nga lartësia, njëra humb jetën, tjetra në gjendje kritike… në banesë ishin 4 fëmijë të mitur

Ngjarje me të vërtetë tragjike ka ndodhur mëngjesin e të martës në Genova të Italisë fqinje, atje ku dy motra shqiptare kanë rënë nga dritarja e katit të katërt të banesës.

Një prej motrave ka ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetra është dërguar me urgjencë drejt spitalit. Gjendja e saj, siç raporton media vendase, është kritike.

Ku ndodhi tragjedia

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Sampierdarena, në një godinë banimi atje. Dy motrat në moshat 32 e 35 vjeçe, kanë rënë nga dritarja e apartamentit rreth orës 08:00 të mëngjesit.

Ardhja e ambulancës

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur me shpejtësi urgjenca, ndërsa mjekët kanë tentuar të shpëtojnë të dy motrat. Fatkeqësisht për të më renë, 32 vjeçaren, nuk është mundur të bëhet dot më asgjë. 32 vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. 35 vjeçarja nga ana tjetër është dërguar në spitalin San Martino të Genova-s, ku ndodhet në kushte të rënda e po lufton për jetën.

Dinamika dhe hipotezat

Karabinierët dhe ekipi i policisë shkencore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e aksidentit. Deri më tani ka disa hipoteza, nga ajo e tentimit të vetëvrasjes e deri tek orvatja e njërës prej motrave, për të shpëtuar jetën e tjetrës.

Hetuesit kanë nisur të mbledhin dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen si dhe të shohin pamjet e kamerave të sigurisë të cilat gjenden në sasi në këtë zonë të populluar të qytetit.

Një detaj i dhimbshëm

Siç ka raportuar media vendase, në banesën ku ndodheshin dy motrat shqiptare, ishin prezentë dhe 4 fëmijët e mitur, me gjasë fëmijët e dy motrave.