Itali: Festonte ditëlindjen në shtator, shuhet në aksident 17 vjeçari shqiptar… prindërit marrin një vendim prekës

Një 17 vjeçar shqiptar humbi jetën tragjikisht ditën e hënë, pasi nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve që mori në një aksident në qytetin e Breshias, në Italinë fqinje.

I riu Lorenzo Çela ishte pasagjer në makinë. Mjekët e dërguan në spital dhe intubuan, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, 17 vjeçari u shua mëngjesin e të hënës.

Dinamika e aksidentit tragjik

Pak pas orës 16:30 të drekës të së dielës, dy makina të cilat udhëtonin në një prej rrugëve të Breshias, një Volksëagen e një Lançia, përplasen kokë më kokë mes tyre. 5 persona mbeten të plagosur, mes tyre dhe 17 vjeçari shqiptar.

Lorenzo muajin e ardhshëm festonte ditëlindjen e tij të 17-të. Në makinë (Volskëagen) ishte me të dashurën dhe nënën e kësaj të fundit, një 45 vjeçare e cila ndodhet e shtruar në spital, në gjendje të rëndë.

3 të plagosurit e tjerë morën dëmtime e plagë serioze, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Media italiane shkruan se aksidenti ka ardhur si pasojë e një parakalimi të gabuar. Ende mbetet e paqartë se cila makinë ka kryer manovrën që solli aksidentin dhe i kushtoi jetën 17 vjeçarit shqiptar.

Familja e Lorenzos vendos të dhurojë organet e tij

Të shkatërruar nga vdekja e djalit të tyre në lule të rinisë, prindërit e shqiptarit kanë vendosur që organet e të birit t’i dhurojnë, me shpresën se ky gjest human, do të bëhet shkas për të shpëtuar jetë të tjera.

Aksidenti ndodhi të dielën, ndërsa në spital 17 vjeçari u intubua. Lorenzo ndërroi jetë ditën e djeshme, ndërsa pranë tij, në shtratin ngjitur, ishte e dashura e tij.