Itali, i moshuari pëson infarkt pas debatit të ashpër me djalin…50 vjeçari vetëflijohet prej ndjenjës së fajit

Një tragjedi e dyfishtë ka ndodhur në provincën e Belluno-s në Italinë fqinje, atje ku babë e bir kanë ndërruar jetë pas një zënke me fjalë.

Babai 80 vjeçar ka debatuar me të birin 50 vjeç dhe papritur është ndier keq. I moshuari ka rënë ka shkallët dhe nuk është çuar më. I pikëlluar dhe në gjendje shoku, 50 vjeçari nuk ka mundur të bëjë dot më asgjë për të atin dhe është larguar për të mos u kthyer më në banesë.

Nëna e 50 vjeçarit ka njoftuar policinë pasi i biri u zhduk prej dy ditësh. Pas kërkimeve, trupi i pajetë i i 50 vjeçarit u gjet jo shumë larg shtëpisë. Duke iu referuar hetimeve, media italiane shkruan se 50 vjeçari dyshohet t’i ketë marrë jetën vetes pas ndjenjës së fajit për infarktin që i mori jetën të atit.

“S’mund të jap detaje pasi ka një hetim në vazhdim, por nga ajo që duket, (mbi vdekjen e 50 vjeçarit) nuk lihet për të kuptuar gjë tjetër (veç vetëflijimit). Kishte një lidhje të fortë mes babait e të birit, këtë mund ta them. Pjesën tjetër mandej, pres që hetimi të bëjë punën e tij. Të gjithë jemi të tronditur, sepse të dy babë e bir ishin njerëz të njohur në komunitetin tonë”- tha kryebashkiaku i Fonzaso-s Christian Pasa.

Media italiane shkruan se nëna e 50 vjeçarit po ashtu ndodhet në gjendje të rëndë psikike, pasi brenda dy ditëve humbi të shoqin dhe djalin.