Një 61 vjeçar me origjinë nga Shqipëria ka humbur jetën mbrëmjen e të premtes në Bibbiano të Italisë fqinje, pasi është goditur për vdekje me thikë nga fqinji 41 vjeçar, një shtetas italian.
61 vjeçari shqiptar kishte shkuar në shtëpinë e mbesës së saj, ndërsa përballë apartamentit të kësaj të fundit jetonte 41 vjeçari italian me të ëmën.
Sipas medias italiane, sherri mes dy burrave ka nisur për motive banale. Media lokale shkruan se 41 vjeçari italian e ka talluar viktimën dhe prej aty ka patur një debat që ka përfunduar në tragjedi.
Italiani ka hyrë sërish në banesën e tij për të marrë një thikë kuzhine, me të cilën ka goditur për vdekje 61 vjeçarin shqiptar.
41 vjeçari është arrestuar menjëherë nga karabinierët, ndërsa poshtë godinës së banimit ka patur momente të forta tensioni siç duket edhe nga video e mëposhtme.
Disa persona kanë tentuar të godasin italianin që vrau me thikë 61 vjeçarin shqiptar. Policia u detyrua të vendosë një kordon dhe perimetër sigurie në momentin kur nxorri nga godina të arrestuarin.
41 vjeçari ndodhet tanimë në burgun e Reggio Emilia-s dhe akuzohet për veprën ‘vrasje e rëndë me dashje’