Fundjavën që lamë pas futbollisti i Fiorentinës Edoardo Bove pësoi një goditje në zemër dhe kolapsoi në fushë gjastë ndeshjes me Interin.
Në momentin kur 22 vjeçari ra në tokë pa ndjenja, i pari që i erdhi në ndihmë ishte shoku i tij i skuadrës, Danilo Cataldi.
Dikur dy mesfushorët ishin rivalë të fortë mes tyre, kur Bove luante me Romën ndërsa Cataldi me Lazion. Fati e desh që këtë sezon dy mesfushorët të jenë në të njëjtën skuadër. Ndër të parët që i erdhi në ndihmë Bove-s ishte pikërisht Cataldi, i cili i kapi gjuhën shokut të skuadrës duke bërë që ai të merrte frymë sërish.
Një veprim i tillë ka sjellë dhe shpëtimin e jetës së 22 vjeçarit, që për fat të mirë tanimë është jashtë rrezikut për jetën. Bove ndodhet ende në spitalin e Firenze-s në gjendje të stabilizuar dhe të kthjellët.
Ndërhyrja e Cataldit veçse, nuk është një rastësi. Mesfushori është i pajisur me një certifikatë ndërkombëtare nga Shoqata Amerikane e Zemrës për të qenë i aftë për të ndihmuar në të tilla raste. Një gjë të tillë ai e mësoi gjatë kohës kur ndodhej në ekipin e Lazio-s
“Lazio i mësoi atij ndihmën e parë, e cila është trashëgimia kulturore e të gjithë lojtarëve të klubit. Danilo ka një certifikatë ndërkombëtare nga Shoqata Amerikane e Zemrës ACLS për të ndihmuar njerëzit në çdo situatë emergjente”, tha mjeku kryesor i Lazios, Ivo Pulcini, pas rastit të Bove.