Itali: Ndërroi jetë në gjumë, 14 vjeçari shqiptar përcillet sot për në banesën e fundit

14 vjeçari shqiptar Jonson Sulika, i cili humbi jetën në rrethana tragjike në gjumë në Italinë fqinje, do të përcillet këtë të mërkurë për në banesën e fundit.

I ndjeri u gjet pa shenja jete nga e motra, e cila hyri në dhomën e tij në mëngjes për të zgjuar të vëllanë.

Në fundjavë djemtë e ekipit të futbollit të të miturve në qytezën e Traversetolo-s kujtuan 14 vjeçarin shqiptar , duke shkruar emrin e tij në bluza.

Familja shqiptare e cila humbi të birin jeton prej vitesh në qytezën në komunën e Parmës. Jonson ishte në vitin e fundit në shkollës. Kur lajmi nisi të qarkullojë në qytezë, shumë nxënës nuk mund ta besonin se 14 vjeçari mund të kishte vdekur në gjumë. Veçanërisht shokët e shoqet e klasës së të ndjerit, shumë prej të cilëve u informuan nga mësuesit.

Një autopsi është kryer mbi trupin e të ndjerit, për të kuptuar shkakun e vdekjes së tij. Rezultatet e autopsisë ende nuk janë bërë publike në median italiane, ndërsa dyshimet për vdekjen e tij të çojnë tek një arrest kardiak i mundshëm.